Skenarët, vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme në tetor 2020, reforma zgjedhore gati të bëjë bashkë Ramën dhe Bashën

0
355

Vitin që vjen vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Që prej muajit shkurt opozita i ka hyrë një rruge të vështirë, duke djegur mandatet dhe duke bojkotuar zgjedhjet vendore, rrugë e cila e ka zhytur vendin në krizë. Por falë presionit ndërkombëtar palët çdo ditë e më shumë janë më afër konsensusit. Reforma zgjedhore është elementi që pritet të bëjë bashkë Ramën dhe Bashën, e më pas palët të gjejnë gjuhën e përbashkët për krizën politike. Gazeta e tha pak ditë më parë se dialogu do të vijë pas shkarkimit të presidentit Ilir Meta. Edhe pse opozita nxitoi të përshëndeste raportin e Venecias, sinjalet janë se presidenti do shkarkohet. Mazhoranca është e vendosur për ta dërguar në seancë plenare raportin e shkarkimit, ndërkohë që po punohet fort që të sigurohen dhe votat e opozitës parlamentare. Nëse shihen dhe lëvizjet e ndërkombëtarëve, SHBA dhe BE ja kanë hequr vizën presidenti dhe kjo shton dyshimet se shkarkimi do shkojë deri në fund edhe me vulën e Gjykatës Kushtetuese. Pas kësaj, palët pritet të nisin dialogun. Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, si të përgjithshme ashtu dhe vendore. Por nëse bëjmë disa llogari, me gjasë zgjedhjet do të zhvillohen në tetor të vitit 2020, pra pas një viti. Arsyeja është pikërisht Ilir Meta. Gjykata Kushtetuese do ende kohë të ngrihet. Vendimi për Metën pritet të merret kur ajo të jetë me 9 anëtarë dhe kjo me gjasë do ndodhë në pranverë, pra rreth prillit apo majit. Por, duke qenë se palët do të kërkojnë kohë që të bëhen gati, shanset më të mëdha janë tetori. Gjatë korrikut e gushtit nuk mund të bëhen zgjedhje për shkak të sezonit turistik dhe muaji më i përshtatshëm është tetori.

Lëvizjet në prapaskenë

Qeveria kërkon që reforma zgjedhore të ndahet në dy faza. Në fazën e parë të bëhen ndryshime mbi bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërsa në fazën e dytë të ndryshohen sistemi, të diskutohet vota e emigrantëve dhe shumë çështje të tjera. Këtë gjë e mbështesin dhe ambasadorët. Por kjo duket se është një strategji për të mbajtur në lojë PD. Nëse reforma kalon brenda vitit, PD mbetet jashtë procesit. Por fakti që kërkohet një fazë e dytë, atëherë do të thotë se dera mbetet hapur dhe shanset për dialog janë të larta. Nga ana tjetër, mësohet se dhe ndërkombëtarët po ushtrojnë presion. Dje Oerd Bylykbashi e bëri të qartë se PD do dalë me drafte konkrete shumë shpejt. Ndërkohë që, SHBA dha ultimatum që të mos ketë asnjë vonesë. Tani të gjithë sytë janë te Kuvendi dhe Kushtetuesja. Meta është ai që po mban peng dialogun, pasi Basha nuk do të hyjë në këtë mes. Sipas burimeve, Basha ja u ka bërë të qartë të vetëve se do qëndrojë i distancuar. Nëse PD dhe PS bien dakord tani, Meta mund të amnistohet, pasi kriza zgjidhet dhe si duket PD nuk e do diçka të tillë. Kreu demokrat është tërhequr nga protestat dhe mosbindja civile. Edhe pse Berisha bën thirrje për revolta, duket se Basha po dëgjon ndërkombëtarët. Ndërkohë, mazhoranca shpreson që Kushtetuesja të bazohet te opinioni i Venecias që të njohë 30 qershorin dhe së paku të ketë vetëm zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Megjithatë, gjithçka do ndodhë vitin tjetër, pasi këtë vit do të shohim vetëm “revolucionin” e paralajmëruar nga Meta më 22 nëntor. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here