“Bloomberg” zbardh draftin, Shqipëria merr hapje negociatash me 18 tetor nga Këshilli i BE, ja detajet

0
280

Bashkimi Europian pritet që më 18 tetor të vendosë “pro” hapjes së negociatave me Shqipërinë. Agjencia e lajmeve “Bloomberg”, raporton se ka parë draftin e komunikatës zyrtare, që do të dalë nga mbledhja e ministrave, parashikuar për në 15 tetor në Luksemburg, ndërsa shton se drafti i hartuar të premten edhe mund të ndryshojë, pasi bën me dije se në një draft të mëparshëm, nuk përfshihej rekomandimi për nisjen e bisedimeve. “Duke marrë parasysh progresin e arritur në reforma, ministrat e Bashkimit Evropian do të vendosin gjatë takimit në Luksemburg më 15 tetor për të hapur negociatat e pranimit për në BE me qeveritë në Tiranë dhe Shkup, bëhet e ditur në draftin e tyre. Megjithatë formulimi mund të ndryshojë sërish, pasi në një draft të mëparshëm nuk përfshihej rekomandimi për nisjen e bisedimeve”, raporton “Bloomberg”.

Dështimi i negociatave

Prestigjiozja amerikane, shton se hapja e negociatave me Bashkimin Europian, për Shqipërinë, ka dështuar në qershor, pasi disa shtete anëtare në Bashkimin Europian, kanë refuzuar këtë plan. “Një përpjekje e ngjashme për të hapur negociatat e pranimit te Shqipërisë ne BE, dështoi në qershor, pasi vende si Franca, Holanda, Gjermania dhe Danimarka, refuzuan. Qeveritë perëndimore të BE-së, janë irrituar nga dështimi i disa kombeve lindore që iu bashkuan bllokut nga 2004, për të mbështetur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Kështu ata janë të kujdesshëm të pranojnë anëtarët e rinj në klubin më të madh tregtar në botë, ku njerëzit, mallrat dhe shërbimet mund të lëvizin lirshëm”, shkruan më tej “Bloomberg”. Më 26 shtator, me 395 pro, 188 kundër dhe 16 abstenim, parlamenti gjerman, votoi pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Por, gjatë mbledhjes, Shqipëria u njoh me disa kushte, ku sipas vendimit të Bundestagut gjerman, vendi ynë duhet të plotësojë 2 kushte për hapjen e negociatave, konkretisht për plotësimin me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe miratimin e reformës zgjedhore.

Projekt-Rezoluta për negociatat

Në mbështetje të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, Kuvendi i Shqipërisë, pritet të miratojë një projekt- rezolutë. Në këtë projekt- rezolutë kërkohet që institucionet shqiptare, me një përfaqësim të ligjshëm, të përqendrohen në reformat e ndërmarra, duke arritur në rezultate konkrete në zbatimin e përparësive të vendosura nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave, deri në anëtarësimin me të drejta të plota në BE. Shtetet anëtare të BE gjithashtu janë pjesë e këtij projekti, në kuadër të Samitit të ardhshëm të Këshillit Europian, i cili do të mbahet me datat 17-18 tetor 2019. Me 10 pika të hartuara, projekt- rezoluta vlerëson Komisionin Europian, i zhvilluar në datën 29.05.2019. “Mbështetet fuqimisht Reformën në Drejtësi si një reformë kyçe dhe një reformë shumë e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë si dhe Inkurajon institucionet kompetente, për ngritjen e organeve të reja të reformës në Drejtësi si Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK), Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë si dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Kërkon nga organet ligjzbatuese, rezultate konkrete dhe të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drejtave të njeriut dhe minoriteteve”, shkruhet në projekt- rezolutën, e propozuar nga dy deputet, Rudina Hajdari dhe Senida Mesi. Në 10 pikat e shkruara, kërkohet nga organet ligjzbatuese, rezultate konkrete dhe të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.

Ornela Çelpica

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here