Qytetet shqiptare 150 vjet më parë, në ekspozitën “Trashëgimia jonë kulturore në penelin e Edward Lear”

0
503

Ekspozita “Trashëgimia jonë kulturore në penelin e Edward Lear” u çel për publikun në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo është një ekspozitë me printe të pikturave të Edward Lear realizuar gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, gjatë shekullit XIX në vitin 1848. Në pikturat e tij, shohim të pikturuar peizazhin e disa prej qyteteve tona, monumente të kulturës si dhe etnografisë. Ekspozita në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u çel në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane dhe 29 Shtatorit – Ditës Kombëtare të Trashëgimisë. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shpreh se kjo ekspozite është një pasqyrim i qartë se vendi ynë ishte në fokusin e artistëve europianë më në zë të kohës. “Kjo është një ekspozitë, që prezanton disa nga qytetet dhe sitet tona më kryesore 150 vjet më parë. Nëpërmjet kësaj ekspozite ne synojmë që të bëhet ballafaqimi me sitet e sotme, me gjetjet e sotme se si janë, çfarë ka qenë që i ka tërhequr piktorët e shquar europianë dhe çfarë është për momentin. Ekspozitë që ne përpiqemi ta bëjmë publikun të mendojë dhe të reflektojë”, u shpreh drejtori i muzeut. Ura e Tabakëve apo Xhamia e Et’hem Beut, që mbajnë datën 28 tetor 1948 janë në pikturat e kësaj ekspozite. Po ashtu piktura të tjera sjellin për publikun qytete të ndryshme të vendit tonë si Berati, Lezha, Kruja, Gjirokastra, etj, në një panoramë mjaft interesante vlerat tona kulturore të cilat i kanë lënë mbresa Edward Lear para 150 viteve. Duke folur për ekspozitën, drejtori i MHK, Dorian Koçi shprehet se specialistët kanë bërë një punë të madhe për realizimin e saj. “Pikturat janë të printuara nga albume të ndryshme, që janë përgatitur nga specialistët tanë. Kjo ekspozitë është përgatitur për një kohë të gjatë”, shton ai. Edward krijoj vepra madhore ndër të cilat edhe mbi 100 peisazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peisazheve janë akuarele dhe litografi. Këto punime janë botuar në shekullin e kaluar nën titullin “Edward Lear in Greece” (Eduard Lir në Greqi). Ndërsa nga fundi i shekullit përshkrimet e bëra nga Edward nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin “Edward Lear in Allbania”.

Aktivitetet për trashëgiminë

Ekspozita “Trashëgimia jonë kulturore në penelin e Edward Lear” u çel për publikun në Muzeun Historik Kombëtar, por drejtori Dorian Koçi shprehet se para kësaj ekspozite janë zhvilluar dhe të tjera veprimtari, që kanë pasur në vëmendje thesaret e trashëgimisë sonë. “Ekspozita zhvillohet në kuadër të javës së trashëgimisë kulturore, iniciativë që është përqafuar nga të gjitha institucionet kulturore dhe nuk mund të mungonte MHK, sepse jemi institucioni më i madh i muzeumeve në vend. Kemi kënaqësinë që këto ditë ne ti kemi filluar me prezantimin e katalogut në gjuhën frënge “Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar”, që është një arritje pas botimit të tij në gjuhën angleze. Ne synojmë që ta botojmë dhe në gjuhën gjermane dhe italiane”, pohon ai. Në vijim Muzeu Historik Kombëtar do të vijojë përgatitjet për të tjera ekspozita, që sipas drejtorit të këtij institucioni kanë në fokus dhe sezonin e ardhshëm turistik. “Ne kemi disa cikle ekspozitash, që do të jetë romantizmi evropian dhe Shqipëria, dhe kjo është një pjesë e tyre që po përgatisim. Disa ekspozita do të jenë lëvizëse për tu përgatitur për sezonin e ardhshëm turistik, që ata të identifikojnë sheshe të ndryshme të qyteteve shqiptare të asaj kohe, veshje popullore shqiptare etj”, shprehet Dorian Koçi drejtor i MHK. Shqipëria ka nisur të kremtojë Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore prej vitit 1998. Nga 24 deri 29 Shtator janë ditë të hapura që shoqëria duhet të kujtojë e tu kthehet vlerave të trashëgimisë kulturore që vijnë si trashëgimi nga shekujt e nga brezat.

 Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here