Derbi, Tirana i lëshon terren Partizanit, i jep një tribunë, por i rrit çmimin e biletave

0
307

Derbi midis Tiranës dhe Partizanit do të luhet ditën e diel në stadiumin “Selman Stërmasi”, dhe përbën ndeshjen më të rëndësishme të javës së gjashtë dhe krejt fazës së parë të kampionatit. Në kuadër të këtij takimi, Tirana shpërndau biletat, duke i dhënë Partizanit afro gjysmën e stadiumit, madje tifozeria e kuqe ka marrë biletat dhe do t’i menaxhojë vetë ato. Në kuadër të kësaj sfide të madhe, kanë folur edhe presidentët e skuadrave, Refik Halili i Tiranës dhe Gazmend Demi i Partizanit, duke pasur bindjen se do të jetë një ndeshje model.

Halili: Ky është momenti ynë, vetëm për fitore

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, është i bindur se Tirana do ta prishë “mallkimin” e ndeshjeve derbi, ku skuadra bardheblu nuk njeh fitore prej shumë vitesh. Kreu i 24-herë kampionëve të Shqipërisë dha mendimin e tij për mbledhjen e organizuar nga FSHF për çështjen e licencimit. “Për mendimin tim, ishte mbledhje e vlefshme, që asistenca ligjore apo financiare, të ketë edhe një mbështetje nga specialistët, si nga klubet dhe federata, është diçka shumë e mirë. Shpresojmë të dëgjojmë çfarë të metash kemi, specialistët të flasin dhe për të ardhmen të bëjmë gjënë më të mirë për çështjen e licencimit”, theksoi Halili. Më pas ai foli direkt për derbin me Partizanin, duke qenë optimist për fitore të dielën. “Do ta marrim si ndeshje të radhës, por është shumë e rëndësishme. Do të mundohemi të bëjmë organizimin sa më të mirë sa i përket pjesës së menaxhimit të stadiumit në bashkëpunim me strukturat përkatëse për këtë. Shpresojmë që të jetë një ndeshje “fair-play” dhe, krahas kësaj, besoj që do të dalim me fitore nga kjo ndeshje, pasi kam besim te çunat. Besoj që do ta bëjmë atë që nuk e kemi bërë prej kaq vitesh në derbi”, shtoi Haili.

Demi: Partizani flet në fushë

Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, iu përgjigj Refik Halilit me të njëjtin optimizëm, por në krah të kundërt, duke qenë optimist për fitoren e “demave”. Presidenti i Partizanin do ta shohim të dielën, nëse është në gjendje të mirë apo të keqe. E diela vjen shpejt. Presim te dielën dhe shpresoj të na eci goli. Kampionati? Jo nuk jam i zhgënjyer. Pse të jem? Tre pikë prapa dy ekipeve jemi”, theksoi Demi. Më tej Demi foli për rivalitetin në kampionat dhe faktin që gara është ende në hapat e parë. “Nuk ka patjetër sepse është fillimi fare. Kemi kohë. Partizani tregon që nuk e ul kokën. Eksperiencën e ka dhe do të duket çdo gjë të dielën. Shpresojmë të jetë një ndeshje e bukur”, vijoi Demi. Natyrisht, presidenti i skuadrës së kuqe beson se Tirana është e fortë, por a është ajo më e fortë se Partizani? Për këtë duhen pyetur teknikët. “S’e mbaj mend. Nuk jam teknik të them është më e fortë apo më dobët”, nënvizoi numri një i klubit të kuq. Në fund presidenti i skuadrës së Partizanit ka një sqarim në lidhje me ecurinë e punimeve të stadiumit të ri të klubit. “Punimet po ecin, por jo aq sa e prisnim. Shpresoj në fazën e tretë të jetë gati”, përfundoi Demi.

Biletat, Tirana i jep gjysmën e stadiumit Partizanit, por i rrit çmimin

Nisi dje shitja e biletave për derbin Tirana-Partizani, që do të zhvillohet të dielën, në orën 19:00. Si klub organizator, Tirana do të ketë në dispozicion për tifozët e saj gjysmën e tribunës kryesore, (B1 dhe B2) si dhe sektorët D, E, F, G dhe C. Pjesa tjetër është e disponueshme për tifozerinë e kuqe. Më poshtë është ndarja e sektorëve për të dyja skuadrat si dhe çmimet e biletave. Ndërkohë, tifozët e Partizanit janë “angazhuar” duke e marrë vetë situatën në dorë sa i përket mënyrës së organizimit apo dhe biletat për derbin e së dielës me Tiranën. Nga sa bëhet e ditur, ata do të jenë të vendosur në tribunat H1 dhe H2, por do të kenë edhe një pjesë të tribunës qendrore, kryesisht tribunën A. Në një postim që ka bërë klubi, sqaron se skuadra do të jetë e vendosur në një nga anësoret dhe aty pritet që të jetë tifozeria por edhe ultrasit, në mënyrë që ta menaxhojnë edhe më mirë situatën, ndryshe nga derbet e tjera kur ka luajtur skuadra e kuq me bardheblutë. Klubi i partizanit ka tërhequr edhe 1200 biletat që i përkasin këtij sektori dhe do t’i shpërndajë vetë për ultrasit e vet.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here