Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një lidhje telefonike në TVSH për emisionin “Java” ka folur lidhur me dënimin e tij.Tahiri u shpreh se vendimi ndaj tij është marrë nën shantazh e kërcënime të një pjese të interesuar të politikës duke sqaruar se ai vetë nuk është njeri i prapaskenave. “Vendimi ndaj meje ka qenë i sforcuar. Ky vendim u mor nën shantazh e kërcënime. Unë nuk merrem as me shantazhe dhe as me kërcënime. Nuk kam njeri i prapaskenave, sepse po të isha i tillë nuk do isha këtu ku jam e nuk do kisha arritur aty ku kam arritur,”-tha Tahiri. I pyetur nga Preç Zogaj se deri ku shkon përgjegjësia për kanabizimin si fenomen, Tahiri u përgjigj se rezervohet të flasë për vendimin e Gjykatës. “Me këtë logjikë i bie që Koço Kokëdhima të ishte në burg që para tre vjetëve, i bie që Sali Berisha të ishte në burg që linte Lazaratin, i bie që ministri aktual i Brendshëm të jetë në burg se në Shqipëri ka kanabis. Unë rezervohem të flas për vendimin e Gjykatës pasi nuk e kam lexuar,”– e mbylli Tahiri. Pas më shumë se 13 orësh përfundoi dje “Gjyqi i vitit”, ai për Saimir Tahirin. Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet me 1/3 dhe zbret në 3 vite e 4 muaj burg e sipas Kodit Penal konvertohet në shërbim prove. Për këtë vendim ai u shpreh se ishte qesharak. Pas seancës, ai ftoi gazetarët për të zhvilluar një takim, që pritet të mbahet ditën e nesërme.