Informacioni sekret i pretenduar nga presidenti Ilir Meta, për tentativën për djegien e Kuvendit më 8 qershor, është tashmë në duart e drejtuesit të Komisionit Hetimor, Ulsi Manja.
Në seancën e zhvilluar sot, Manja konfirmoi se materiali i është vënë në dispozicion nga Presidenca dhe deputetët e Komisionit do të njihen nëse kanë nivelin e duhur të certifikatës së sigurisë.
“Më 13 shtator ka përfunduar proceduara e plotë e vënies në dispozicion të këtij materiali nga ana e Presidentit dhe që do të jetë pjesë e dokumentacionit që kolegët e komisionit, në përputhje me ligjin me “informacionin e klasifikuar shtetëror”, do të njihen dhe do të bëhen pjesë e diskutimit të seancës ku do të shqyrtojmë dokumentet e institucioneve”, deklaroi Manja.
Në seancën ku u pyet përpara deputetëve, presidenti Meta deklaroi se shfuqizimi i 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale u mor pas informacionit se një grup i caktuar kishte planifikuar të shfrytëzonte protestën e opozitës, më 8 qershor, për të djegur Parlamentin.