Meta paralajmëron dorëheqje nëse rrëzohet nga Venecia, kërcënon Bashën me rikthim në opozitë, sulmon ashpër kreun e PD për djegien e mandateve

0
328

 Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar dje se mund të japë dorëheqjen nëse Komisionin i Venecias deklaron se ai ka shkelur Kushtetutën. Ai u shpreh se nuk do presë të shkarkohet, ndërsa duket se kërcënoi dhe kreun demokrat Lulzim Basha, pasi tha se pas largimit nga Presidenca do vijojë të jetë aktiv në politikë. Gazeta një ditë më parë e tha se Meta në një takim e ka kërcënuar Bashën se do marrë frenat e opozitës. Ndërkohë që, dje ai e konfirmoi këtë. “Nëse Venecia thotë që presidenti ka shkelur Kushtetutën, patjetër që do jap dorëheqjen. Ore zotëri më vjen keq që po më bën këto pyetje. Unë e kam dhënë dorëheqjen kur isha kryeministër. Sepse donte të bëhej zotëria president. Unë i thashë bëju kryeministër. Nise thotë Venecia se presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe unë të rri president?”, tha ai. I pyetur se çfarë do ndodhë më pas, Meta deklaroi: “Unë do vijoj në politikë me të gjithë mjetet”. Në një intervistë për “Syri TV”, presidentit sulmoi hapur kreun demokrat Basha. Sipas tij, djegia e mandateve ishte shumë gabuar dhe e bëri përgjegjës për përplasjet civile. “Opozita po të më kishte dëgjuar do ishte shumë mirë për të dhe për vendin. Po ashtu edhe nëse do më kishte dëgjuar zoti Rama. Jam shumë i pakënaqur me opozitën. E para për lënien e mandateve. Unë e kam paralajmëruar që kur u hodh si ide sepse është e gabuar. Sepse nuk zgjidh asgjë. Përkundrazi pala tjetër do e shfrytëzojë për të fabrikuar një lloj opozite. Dhe kjo ndodhi. Ju kam thënë se nëse bëni një veprim të tillë mos mendoni se do ngeli dikush pa gjumë në Bruksel. Veprimi i opozitës ishte i fortë dhe i paprecedentë. Nuk po them se opozita nuk kishte arsye, por nëse do më dëgjonte mua nuk do vinte aty. E dyta nuk më dëgjoi për reformën në drejtësi. Po zbatohet në mënyrë të njëanshme dhe po shkatërrohet besimi te mënyra e zbatimit të Kushtetutës dhe opozita duhej të dilte me një platformë të saj për reformën në drejtësi, kishte gjithë arsyet morale sepse e votoi. Po ashtu LSI votoi dhe 7 ligjet kryesore dhe sikurse dihet pas 2017 zbatimi i reformës ka qenë i njëanshëm”, tha ai. Kushtet Meta sulmoi opozitën edhe sa i takon kushteve ndaj Ramës. Gazeta tha një ditë më parë se Meta i ka kërkuar Bashës të tërhiqet nga kërkesa për largimin e Ramës. Dje e konfirmoi presidenti. “Opozita mund të rrijë dhe 200 vjet me kushte dhe të presë zgjedhje për 200 vite. Unë kisha detyrë të shmangia atë situatë dhe të ulja zotin ram me këmbë në tokë sepse ai ka më shumë përgjegjësi se opozita. Çdo pasojë që do sillte ky konfrontim do kishte pasoja të rënda. Të ketë parasysh që kur flet nga Berati, ndërkohë që opozita proteston me 30 mijë veta, se ata policë nuk duhen vënë në pozitë të vështirë. Kuptohet që ai nuk i ka ndjekur këto këshilla. Ka qenë i interesuar dhe ai për konflikt që ta vinte opozitën para faktit të kryer. Opozita ka shkëlqyer duke bërë veprime të paduruar duke relativizuar përgjegjësinë e zotit Rama me veprime jashtë realitetit”, tha ai. Në sulm ndaj Ramës Meta ka akuzuar kryeministrin Rama se ka sabotuar qëllimisht reformën për drejtësi. Po ashtu, ai nuk ka ndalur sulmet dhe ndaj ndërkombëtarëve. “Ne jemi pa gjykatë kushtetuese sepse Edi Rama në vitin 2017 ka sabotuar krijimin dhe funksionim e Komisionit të Emërimeve në Drejtësi, që bën rankimin e gjyqtarëve për Gjykatë Kushtetuese dhe për Inspektorin e Drejtësisë. Në vitin 2017 Ramës nuk i pëlqyen emrat dhe vendosi të bllokojë. Në vitin 2018, unë isha president, organizova shortin, ftova ambasadoren e BE-së, Euraliusin, duke respektuar Kushtetutën edhe duke diskutuar që të ftojmë të gjithë institucionet, të unifikojmë qëndrime”, tha ai./Kliti TOPALLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here