Kur kanë kaluar 5 ditë nga gjetja e jahtit luksoz të biznesmenit turk në brigjet shqiptare, ditën e djeshme autoritetet malazeze i kanë kthyer përgjigje zyrtare autoriteteve të vendit tonë, pas kërkesës që këta të fundit u bënë për itinerarin e jahtit luksoz. Burimet bënë me dije se nëpërmjet letër-porosisë, porti detar i Tivarit në Malin e Zi ka pohuar se shtetasi turk Sevgin Yavuz ishte regjistruar i vetëm në bordin e jahtit, më datë 2 shtator. Ai ka lundruar në drejtim të ujërave neutrale dhe destinacioni ishte Korfuzi, ku është afruar 11 milje në portin e Shëngjinit. Mjeti u gjet i braktisur nga peshkatarët, por mbetet ende mister zhdukja e shtetasit turk. Burime nga grupi hetimor saktësuan se mister mbetet edhe fakti se lundrimi i këtij mjeti në afërsi të Shëngjinit nuk është diktuar nga radarët policorë, çka dyshohet se vetë shtetasi turk mund të ketë fikur pajisjen sinjalizuese. Për këtë gjë tashmë janë nisur edhe verifikimet nga Prokuroria e Lezhës, për të parë nëse është ndjekur praktika standard e institucioneve përkatëse, apo pajisja sinjalizuese është fikur me tendencë nga turku Sevgin Yavuz. Ndërkohë pronari i vërtetë i mjetit, Nedin Akyuz ka sqaruar pozicionin e tij në këtë histori. Ai ka bërë kërkesë sapo është vënë në dijeni të këtij fakti, se mjeti ndodhej në territorin shqiptar dhe u ka kërkuar autoriteteve marrjen e jahtit, i cili tashmë qëndron i bllokuar si provë materiale.
Hetimet
Pista kryesore që prokuroria po heton për gjetjen e mjetit luksoz disa ditë më parë në brigjet shqiptare është ajo e një tentative të trafikimit të lëndëve narkotike. Kjo pistë hetimore është mbështetur edhe nga raporte të dërguara nga Shërbimi Informativ Shqiptar, i cili ka informuar policinë dhe prokurorinë e zonës, për një rast të mundshëm të trafikut të drogës dhe emrat e personave që mund të jenë përfshirë në këtë tentativë trafiku. Kohët e fundit trendi i trafikut të drogës, ka ndryshuar ku trafikantët në shumë raste kanë përdorur jahtet e huaj, për të transportuar kokainën, hashashin dhe heroinën nga Shqipëria në vende të ndryshme dhe anasjelltas. Por për të hedhur dritë mbi misterin e gjetjes së jahtit, Policia dhe Prokuroria e Lezhës gjatë ditës së sotme ka marrë në pyetje pronarin e jahtit Nedim Akyuz, i cili rezulton të jetë një biznesmen në fushën e tekstileve në Turqi. Ky i fundit ka udhëtuar nga Turqia dhe ka mbërritur në Shqipëri, me qëllim për të tërhequr jahtin, por në fakt nuk është lejuar pasi mjeti lundrues është provë materiale. Gjatë marrjes në pyetje përpara uniformave blu biznesmeni turk ka thënë se ai nuk di asgjë rreth rrethanave se çfarë mund të ketë ndodhur apo ku mund të jetë momentalisht kapiteni i jahtit, Sevgin Javuz. Momentalisht Akyuz ndodhet në Tiranë ku është akomoduar në një nga hotelet e kryeqytetit, ndërkohë pritet që ditët në vijim ai të japë sërish shpjegime përballë prokurorëve dhe Policisë së Lezhës. Gjatë ditës së sotme Akyuz ka dorëzuar si provë disa dokumente që vërtetojnë pronësinë e jahtit, por në ditët në vijim ka premtuar se do vërë në dispozicion dhe dokumente të tjera. Ndërkohë gjatë kontrollit fizik të jahtit, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, disa dokumente, pije alkoolike dhe freskuese të llojeve të ndryshme, 265 euro dhe disa veshmbathje. Nga të dhënat e monitorimi të lundrimit të mjeteve, jahti Atik Bey, në datën 30 gusht 2019 ka qenë në Budva.
Elvis MYRTA