Kreu i Partisë Ambientaliste Agrare, Agron Duka ka publikuar një video, ku thotë se duken komisionerë teksa mbushin votat gjatë procesit në numërimit në Urën Vajgurore, në zgjedhjet e 30 qershorit.
Duka thotë se “këto pamje nuk mund të përkojnë me ato të një vendi në pritje të çeljes së negociatave me BE-në”, ndërsa i bën thirrje organeve ligjzbatuese të hetojnë.
Reagimi i Dukës
E dinim që 30 qershori do të mbetej një ditë e mbuluar nga turpi; megjithatë pamjet e fletave të votimit që mbushen në tavolinën e numërimit ngjallin neveri dhe ilustrojnë dekadencën morale të kleptomanëve që vjedhin edhe kur nuk iu nevojitet. Këto pamje nuk mund të përkojnë me ato të një vendi në pritje të çeljes së negociatave me BE-në, prandaj kriza politike do të marrë fund dhe negociatat do të hapen vetëm kur këto krime elektorale, bashkë me ato të dosjeve 339 dhe 184, do të ndëshkohen. Prokuroria dhe institucionet ligjzbatuese duhet të veprojnë sa më parë, në këtë mënyrë do të sigurohet zgjidhja e krizës politike dhe vijimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë.