Në mediat online po qarkullon fotografia e 26-vjeçarit Santiago Malko, ndërsa mbante ende veshur uniformën e Policisë së Shtetit. Në foto Santiago Malko, mban të veshur uniformën e forcave “Shqiponja”. Gjithashtu edhe bashkëshortja e tij, Dea Ricku, ishte pjesë e këtij reparti. 26-vjeçari Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit me breshëri në zonën e Xhamllikut.
48-orë pas vrasjes, ngjarje e cila shkaktoi panik mes banorëve në rrugën “Xhanfize Keko”, policia nuk ka ende të ndaluar. Ndër pistat e hetimit ku është përqendruar grupi hetimor është edhe një konflikt të mundshëm për pazaret e drogës. Nisur nga këto dyshime është shpallur në kërkim policor si autor i dyshuar një 40 vjeçar me iniciale D.A me precedent të mëparshëm penal në fushën e armëmbajtjes dhe narkotikëve në Shqipëri dhe në Itali.
Për të mbledhur më tepër të dhëna në lidhje me ngjarjen e së martës, janë shoqëruar në polici një numër të madh dëshmitarësh okularë po ashtu edhe të afërm të 26 vjeçarit që mund të kenë dijeni për konflikte të tij. Policia ka kërkuar dhe ndihmën e qytetarëve që kanë të dhëna për ngjarjen të telefonojnë numrin 112.