Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me atentatin ku mbeti i vrarë ish-polici Santiago Malko. Mësohet se ish-efektivi është ekzekutuar me kallashnikov.
Arma e krimit është gjetur në makinë e cila u dogj menjëherë pas ngjarjes në Ferraj të Tiranës. Automjeti tip “Mercedez Benz” dyshohet se u përket autorëve të krimit.
Në vendngjarje policia ka sekuestruar më shumë se 10 gëzhoja, me të cilat u krye vrasja e Malkos. Gjithashtu mësohet se janë shoqëruar mbi 10 persona në polici për tu pyetur rreth ngjarjes. Ata janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje por priten të tjera shoqërime.
Ish-polici Santiago Malko mbeti i vrarë një natë më parë me 10 plumba. Ai u ekzekutuar në orën 22:25, në rrugën “Xhanfize Keko” teksa ishte në ecje me makinën e tij.
Pak orë pas vrasjes është gjetur një makinë e djegur në Ferraj që dyshohet se u përket autorëve. Gjithashtu policia ka identifikuar një prej personave që dyshohet se morën pjesë në atentat, me inicialet D.A., i cili është shpallur në kërkim.