Ndërtimi i një HEC-it pranë Kanionit të Holtës, i shpallur monument natyre, ishte një problem shqetësues i cili u ngrit disa muaj më parë nga qytetarë, banorë dhe aktivist të ndryshëm.
Ngjarja bëri bujë të madhe në rrjetet sociale dhe në media. Reagimet qenë të ndryshme dhe shumë shoqata, aktivist dhe personazhe të njohur dolën kundër ndërtimit të atij projekti pranë një resursi natyrore, i cili ishte shpallur edhe monument natyre dhe mbrohej nga shteti. Atë kohë instancat shtetërore pezulluan punimet dhe premtuan banorët e zonës se projekti nuk do ndërtohej. Sot pas disa muajsh nga nisja e punimeve, njoftohet nga Bashkia Gramsh se është marrë vendimi për prishjen e objektit të ndërtuar.
Kujtojmë se pak kohë më parë ministritë përkatëse, ajo e mjedisit dhe e energjisë kanë pezulluar dhe hequr lejen apo lishencën shumë firmave që kishin planifikuar ndërtimin e një projekti energjetik pranë lumenjve dhe burimeve ujore.