Memolla e nis me gol tek KPV në Finlandë, Hysaj në mëshirën e Romës

0
451

Lojtarët e kombëtares kuqezi po presin të qetë startin e sezonit (në ato kampionate ku ende nuk kanë nisur), por në pjesën dërrmuese kampionatet kryesore europiane kanë filluar dhe futbollistët e përfaqësueses po përpiqen të gjejnë vetveten. Nuk do të jetë e lehtë në kushtet kur rivaliteti është ekstremist i madh, por ka shpresë për kuqezinjtë e rinj dhe ata me përvojë që të bëjnë më të mirën në këtë edicion. Vëmendja është tek futbollistët që luajnë në kampionatin italian, pasi atje është dhe baza e ekipit përfaqësues, por ka dhe lojtarë të tjerë shqiptarë në kampionate të ndryshëm europiane, ku po tentojnë të krijojnë profilin e tyre të suksesit. Një ndër ta është Hysen Memolla, mbrojtës i krahut të majtë, i cili në fundjavën që lamë pas ishte protagonist i shkëlqyer në fitoren e skuadrës së tij KPV në Finlandë, duke marrë vëmendje të madhe mediatike, por njëherësh duke i dhënë një sinjal të fortë trajnerit të Kombëtares, Edoardo Reja, që t’i bëjë ftesë në Kombëtare. Fundja në këtë pozicion ekipi ka nevojë dhe duhet rritura rivaliteti, prandaj ekziston një shans që Memolla të ftohet nga trajneri Reja në shtator për duelet ndaj Francës dhe Islandës. Në fakt, pak ditë më parë, mbrojtësi i Kombëtares, Hysen Memolla u largua nga skuadra e Salernitanës dhe firmosi në Finlandë me skuadrën e KPV-së. Shkak për këtë lëvizje u bënë minutat e pakta që kishte në Itali dhe tashmë, shpreson që në Finlandë të ketë më shumë minuta pasi është edhe një kampionat më i dobët. Në fakt, aventura e tij e re ka nisur në mënyrën më të mirë pasi Memolla ka shënuar që në debutim. Në minutën e 40 të takimit, Memolla ka depërtuar në zonë, aty ku i ka ardhur një ndërhyrje nga mbrapa megjithatë, mbrojtësi kuqezi ka arritur të godasë në rënie e sipër, duke e çuar topin në rrjetë. Për kundërshtarët ka barazuar përkohësisht Vairinien ndërkohë që Jartej ka realizuar golin e dytë për KPV-në. Kundërshtar me Memollën në këtë ndeshje, ishte edhe Seku Kamara i cili u largua pak ditë më parë nga Teuta dhe ka nisur një aventurë të re.

Hysaj në “dorë” të Romës, por Napoli nuk “tundet” pa 20 mln euro

Një nga futbollistët që ende nuk e ka gjetur vetveten është shkodrani Elseid Hysaj. Mbrojtësi i përfaqësueses ka kaluar tre sezone të mrekullueshëm tek Napoli, por një edicion më parë pati probleme, pasi trajneri Karlo Ançeloti nuk e preferonte sa duhet për objektivat e tij taktike në lojë. Madje në pozitat kur Hysaj s’e shihte m ë veten titullar, nisi të mendojë largimin dhe në fillim pati mjaft oferta, por lëvizja nuk ndodhi, duke bërë që të qëndrojë tek Napoli. Të paktën deri sot, por kur mbeten dhe 10 ditë nga merkato ne verës, shkodrani e ka ende një shans të lëvizë, edhe pse opsionet janë pakësuar ndjeshëm dhe klubet e interesuara nuk ofrojnë aq para sa kërkon Napoli (25 mln euro). Në fakt, transferimi te Roma mbetet hipoteza më e mundshme për të ardhmen e Elseid Hysajt. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare nuk bën më pjesë në planet e trajnerit të Napolit, Karlo Ançeloti dhe aktualisht është në merkato. Megjithatë ky operacion merkatoje nuk është aspak i lehtë për t’u realizuar sepse Napoli për kartonin e Hysajt kërkon 20 milionë euro dhe nuk ka ndërmend të bëjë skonto. Një shifër kjo disi më e lartë nga ajo që Çelsi kërkon për Davide Zapakostan, alternativën tjetër për krahun e djathtë të mbrojtjes së Romës. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me Elseid Hysajn por për momentin e ardhmja e tij është në dilemë të madhe. Mbetet të shihet derti në fund të kësaj merkatoje vere se çfarë surprizash do të ketë për Hysajn, edhe pse shkodrani alternativë të fundit do të ketë qëndrimin e mëtejshëm tek Napoli, qëndrim që nuk i siguron aspak atij rolin e titullarit dhe mund të “digjet” në stol nga trajneri Karlo Ançeloti.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here