Raportimet e amerikanëve, ja si Hoxha spastroi partinë deri sa u nda nga jeta, gjyqe dhe ekzekutime sekrete për kundërshtarët e regjimit

0
335

Amerikanët kanë nxjerrë në pah detaje të tjera sa i takon zhvillimeve në sistemin komunist. Sipas disa shkrimeve të “The New York Times” Hoxha vijoi spastrimet në parti deri në fund të jetë së tij. Sipas gazetës amerikane, kishte pafund gjyqe dhe ekzekutime sekrete.

Jugosllavia thotë se Shqipëria kërcënon me përdorim të forcës

21 janar 1983

Qeveria e Jugosllavisë akuzoi sot Shqipëria se ”po kërcënon haptazi me përdorimin e forcës” kundër saj dhe ka kërkuar fundin e asaj që quan politikë armiqësore e Shqipërisë. Në një notë proteste ndaj ambasadorit shqiptar Lika Seiti, sulmohej kreu komunist i vendit Enver Hoxha, i cili akuzohej për ”fabrikacione monstruoze” kundër Jugosllavisë për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme të Shqipërisë. Komenti i referohej akuzave të fundit të Hoxhës se kryeministri i tij i 27 viteve të fundit, i cili u vra ose u vetëvra në dhjetor 1981, ishte një agjent i Jugosllavisë. Shqipëria ka thënë zyrtarisht se Shehu kreu vetëvrasje në një moment depresioni, por shtypi jugosllav sugjeron se ai ishte viktimë e një lufte për pushtet me Hoxhën. Në protestën jugosllave thuhej se udhëheqësit shqiptarë po ndërhynin “në mënyrë flagrante” në punët e brendshme të Jugosllavisë, duke i dhënë mbështetje minoritetit etnik shqiptar në Jugosllavi në kërkim të të drejtave të tyre, dhe thoshin se kjo është e barabartë me ”thirrje për përmbysje të rendit kushtetues të Jugosllavisë”.

Kreu shqiptar hedh dyshime mbi statusin e vendeve të paanshme

3 tetor 1983

Enver Hoxha,udhëheqësi komunist shqiptar që ka shërbyer në post me shumë nga të gjithë liderët e Evropës Lindore, sulmoi dje Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Sovjetik dhe kombet që mbajnë linjën e paanshme, gjatë fjalimit në celebrimin e 75 vjetorit të tij, njoftonte agjencia telegrafike e lajmeve. Raporti i gjatë ishte informacioni më i plotë në disa muajt për aktivitetet e Hoxhës, mes zhurmave se ka qenë i sëmurë. Agjencia shqiptare tha se Hoxha priti një grup punëtorësh në shtëpinë e tij në Tiranë të premten. Ditëlindja e tij është në 16 tetor dhe arsyet për festimin e hershëm nuk janë të qarta. Në komentet e tij për linjën dhe vendet e paanshme, Hoxha tha: ”Në fakt, vendosja politike, ideologjike, ekonomike e ushtarake e vendeve sipas superfuqive, është një fakt i pamohueshëm. Ndërsa Shqipëria e ka evituar këtë kapje prandaj konsiderohet e izoluar nga bota, prej mbrojtësve të plaçkitjes imperialiste. Por ne shqiptarët nuk shqetësohemi nga emrat me të cilët na quajnë”.

23 tetor 1983

Diçka po zien në Shqipërinë e izoluar

Shqipëria, vendi më i izoluar i Evropës, raportohet se po lëviz ngadalë drejt rinisjes së lidhjeve me ish-aleatin e saj të vjetër Kinën, dhe njëkohësisht po kryhen spastrime politike dhe gjyqe sekrete. Diplomatët thonë se kjo tendencë ka të bëjë me një luftë të fshehtë për pushtet për pasuesin e mundshëm të kreut komunist 75 vjeçar Enver Hoxha, i cili ka udhëhequr për rreth katër dekada. E vendosur përballë jugut të Italisë në detin Adriatik, Shqipëria me një popullatë prej 2.7 milionë banorë është e mbyllur për shumicën e popujve përveç Greqisë, Turqisë, Francës e disa vendeve të tjera neutrale. Vendi nuk lejon gazetarë të huaj përveç atyre që aprovohen ideologjikisht.

Prishja me Moskën e Pekinin

Shqiptarët janë njohur prej kohësh si një vend i mbyllur, klanor, tashmë prapa barrikadave komuniste, me një izolim që u shtua pas prishjes me Moskën në 1961 dhe më pas me Kinën në 1978, pas liberalizimit që erdhi pas vdekjes së kreut radikal komunist Mao Zedong. Megjithëse teknikisht Shqipëria e Greqia janë në gjendje lufte që prej Luftës II Botërore, Athina ka nga marrëdhëniet më aktive me Shqipërinë. Deri në vitin 1944, Greqia ruante pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, të cilën e quante Epiri i Veriut, që është i populluar me shqiptarë me origjinë greke. Zyrtarët grekë kanë sinjalizuar se çështja është pezulluar për momentin pas vendosjes së marrëdhënieve tregtare e diplomatike në vitin 1971. Sipas gazetarit dhe aktivistit të Epirit të Veriut, Vlassis Socratides, ka rreth 20,000 deri në 25,000 greko-shqiptarë në burgjet e Shqipërisë dhe rreth 80,000 në kampet e punës.

Shqiptarët në Greqi

Aktualisht Greqia dhe Italia janë dritaret e vetme të Shqipërisë me botën. Ato janë vendet e vetme që kanë lidhje direkte telefonike me Shqipërinë dhe ambasada në kryeqytetin shqiptar. Përveç një numri refugjatësh shqiptarë në Greqi, nuk ka shumë lëvizje nga Greqia të diplomatëve, gazetarëve apo biznesmenëve të cilët të sjellin përshtypjet e tyre për atë që po ndodh në Shqipëri. Bisedat e tyre deri tani kanë sjellë përshtypje kontradiktore mbi vendin e izoluar. Diplomatët perëndimorë thonë se kanë dëgjuar për një seri gjyqesh që nisin në Shqipëri këtë vit, të lidhura në një mënyrë apo në tjetrën me ish-kryeministrin Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij. Shqiptarët këtu, me kontakte në Shqipëri, thonë se Shehu ishte në krye të një liste me 30 ministra ose sekretarë që janë raportuar si të vrarë ose burgosur, ku përfshihet gjithashtu ministri i Mbrojtjes Kadri Hasbiu, i shkarkuar nëntorin e kaluar, dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Fecor Shehu, të shkarkuar në janar 1982. Ka disa sinjalizime për riafrim të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën në formën e nënshkrimit të një protokolli tregtar dhe të pagesave në Pekin më 4 tetor nga zv. ministri shqiptar i Tregtisë dhe një përfaqësues i ministrisë kineze. Ministria greke e citon akordin si një ndërgjegjësim i Shqipërisë se politikat radikale të vetëmjaftueshmërisë nuk mund të mbështesin një vend, i cili ka nevojë urgjente për makineri dhe pjesë këmbimi për pajisjet e vjetruara. Diplomatët këtu thonë se gjithashtu ministri i Jashtëm shqiptar është takuar me homologun e tij italian në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork kohët e fundit.

Lidhjet me Greqinë

Gjithashtu Shqipëria kërkon lidhje “më të ngushta e të ngrohta” me Greqinë sipas gazetarit grek, George Tsiouni, i cili ka shkruar disa artikuj pozitivë për Shqipërinë, në të përditshmen e majtë greke Eleftherotipia. Ai thotë se shqiptarët nuk mund të kuptojnë se përse qeveria e kryeministrit grek Andreas Papandreou nuk anulon gjendjen e luftës mes dy vendeve. Artikujt e Eleftherotipia duken si një kundërpeshë ndaj rrëfimeve negative të shqiptarëve të arratisur nga vendi, të cilët e përshkruajnë vendin si një fortesë me asnjë vend mik dhe shumë armiq si SHBA, BRSS dhe Jugosllavia. Ndërsa Tsiouni shkruan për progresin e bërë nga Shqipëria, duke i quajtur fermat kolektive ‘model’ për prodhimin e drithit, misrit e produkteve të tjera, si dhe për arritjet e mëdha në industri. Ai shton se synimi i Shqipërisë për industrinë është ndërtimi i automjeteve që mund të importohen.

Bunkerë kudo

Por në kontrast me të, udhëtarët grekë e përshkruajnë Shqipërinë si një vend të dominuar nga varfëria, militarizmi dhe kontrolli total. Një zyrtar grek që vizitoi vendin kohët e fundit tha se, ishte i shokuar nga pamjet e fëmijëve të zbathur e të veshur me recka, mungesën e patateve, të makinave dhe prezencën e kudondodhur të bunkerëve, duke përfshirë dhe në qendër të Tiranës pranë ambasadës greke. ”Dukej se një në çdo pesë shqiptarë ishte ushtar dhe një ishte polic”, thotë ai. Autoritetet greke thonë se janë të shqetësuar për minoritetin e tyre në Shqipëri, por një prej tyre tha se e vetmja gjë që mund të bëjnë për këtë është të mbajnë hapur linjat e telefonit dhe të postës. Diplomatët kanë nevojë për leje të veçanta, për të udhëtuar më shumë se 30 km larg kryeqytetit dhe leje të tilla nuk jepen kollaj. Ata nuk lejohen të vizitojnë burgjet. “I gjithë vendi është si një burg i madh” thotë Elias Fani, një grek minoritar 27-vjeçar që është arratisur nga Shqipëria më 15 prill. Ai ishte arrestuar kur ishte student dhe u akuzua për shpërndarje propagande anti-qeveritare. Ai u dënua me gjashtë vjet punë të detyruar në minierë.

26 shkurt 1984

Greqia kërkon bisedime të zgjeruara me Shqipërinë

Qeveria e Greqisë, duke reaguar ndaj protestave për keqtrajtimin e minoritetit grek në Shqipëri, tha se shpreson të mbajë bisedime me shqiptarët për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Qeveria tha se nuk ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë dhe se kërkon të ndalojë gjendjen teorike të luftës që ka ekzistuar që prej vitit 1941. Athina tha se shpreson të diskutojë zgjerimin e lidhjeve diplomatike e komerciale. “Qëllimi i qeverisë greke është për nisjen e shpejtë të dialogut për çështjet e hapura mes dy vendeve, duke përfshirë dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri”, tha zëdhënësi i qeverisë Dimitrios Maroudas. Ai shtoi: ”Por gjithashtu dua të përsëris deklaratën e kryeministrit tonë se, kufijtë mes dy vendeve tona janë të përcaktuar dhe se ne duam të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e Ballkanit”. Protestat më të fundit në Greqi shpërthyen në fundjavë, kur policia ndërhyri për të ndaluar grevën e urisë 15- ditore nga dy shqiptarë etnikë grekë jashtë Ambasadës së Shqipërisë. Dy grevistët ishin arratisur nga Shqipëria dy javë më parë dhe kërkojnë lirimin e familjeve të tyre atje. Greva e tyre është mbështetur nga opozita konservatore greke dhe grupet nacionaliste me pretendime për jugun e Shqipërisë, të cilit i referohen si Epiri i Veriut. Incidenti provokoi kritika nga opozita, e cila e çoi çështjen në Parlamentin Evropian. Gjithashtu grupi grek Përpjekja për Epirin e Veriut, i cili drejton protestat, mbajti një miting jashtë ambasadës shqiptare të mërkurën. Marshimi drejtohej nga priftërinj me flamurë grekë dhe një vajzë 10-vjeçare e lidhur në një kryq, që simbolizonte atë që sipas protestave është persekutimi fetar dhe kulturor i grekëve në Shqipëri. Komiteti thotë se ka të paktën 200,000 grekë etnikë në Shqipëri, ndërsa shqiptarët thonë se shifra është 40,000. Komiteti thotë se persekutimi i grekëve me anë të arrestimeve, torturave dhe internimit në kampe, është rritur. Kryeministri Andreas Papandreou, i cili kërkon të reduktojë tensionet me Shqipërinë ashtu si dhe me të majtën greke, është përpjekur të kënaqë të dyja palët duke thënë se protestat dhe grevat e urisë janë të panevojshme, por shtoi se Greqia nuk do të tolerojë “shkeljen e të drejtave të njeriut për grekët në Shqipëri”. “Kufijtë në gadishullin e Ballkanit janë tashmë të faktuar dhe të konfirmuar në Aktin Final të Helsinkit”, tha ai duke iu referuar akordit evropian Lindje-Perëndim në 1975. “Kjo çështje ka marrë fund shumë kohë më parë dhe kufijtë e vendit tonë janë një fakt i kryer”, tha ai. Në vitin 1941 qeveria kuislinge e Shqipërisë, më urdhrin e Duçes i shpalli luftë Greqisë, para se Italia dhe Gjermania të nisnin pushtimin e saj. Regjimi komunist i Enver Hoxhës, që erdhi në fuqi në fund të luftës nuk e njeh deklaratën e vitit 1941, prandaj ajo nuk është anuluar. Por megjithë këtë, Greqia e Shqipëria vendosën marrëdhënie diplomatike në vitin 1971, dhe lidhjet mes tyre janë përmirësuar. Në vitin 1977 Greqia u bë vendi i parë evropian që vendosi fluturime direkte të përjavshme në Shqipëri edhe pse trafiku i pasagjerëve ka qenë minimal dhe është përdorur kryesisht për mallra. Muajin e kaluar dy vendet nënshkruan një marrëveshje për rritjen e tregtisë, e cila ka pësuar rënie nga $46 milion në 1981 në $18 milionë në 1982.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here