Dëmet nga tërmetet, nis restaurimi i Kishës së Shën Kollit në Kolonjë

0
476

Kisha e Shën Kollit në fshatin Vodicë të Kolonjës do të restaurohet. Prej disa ditësh kanë nisur punimet. Një gjë e tillë bëhet me dije nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kombëtare, e cila ka njoftuar se po realizohet një nga ndërhyrjet më të vështira kryer nga ekipi i kësaj drejtorie në Kishën e Shën Nikollës në Vodicë të Kolonjës. Kisha e Shën Kollit në Vodicë, është rishpallur monument kulture në vitin 2015 dhe ka pasur problematika të shumta, deri në degradim të këmbanarisë e cila rrezikonte dhe shembjen. Faktor kryesor i problematikave janë, tërmetet të cilat kanë shkaktuar inklinim dhe çarje në muraturë, si pasojë e lagështisë ka pasur dëmtime të materialit lidhës. Projekti ka filluar fazën e parë të ndërhyrjes, atë të puntelimit e cila do të bëjë të mundur evitimin e inklinimit të mëtejshëm të këmbanarisë si dhe do të shërbejë për fazën e dytë të ndërhyrjes në kolona. Në muajin mars DRRK Korçë, kreu dokumentimin fotografik dhe grafik të gjendjes aktuale të kishës dhe problematikës së këmbanarisë, për të realizuar projektin për përforcimin e këmbanares. Kisha është e ndërtuar në shek. XVIII dhe është e tipit një nefeshe me kupolë në pjesën qendrore dhe me një tambur të lartësuar mbi çati që shpaloset me 9 dritare.

Kupola shkarkon në 4 pilastra që dalin nga qoshet e murit. Pjesa tjetër e mbulesës është me qemer guri dhe tavane me formë të ndërthurur cilindrike dhe sferike. Kisha ka këmbaneri që është ndërtuar në pjesën jugore të kishës dhe ka lartësi 8 m. Kulla e këmbanërisë është prej mur guri smerç të punuar. E gjithë kisha është me muraturë guri me gur të zonës pak të punuar.

Pas viteve 1990 janë kryer ndërhyrje restauruese jo të pranueshme, si suvatime të mureve, apo mbulesa jo të përshtatshme. Në vitin 2018 pati tërmete të forta në këtë zonë dhe u rrezikua këmbanarja. Ajo është mjaft e frekuentuar nga besimtarët veçanërisht gjatë festave fetare, por shumë pelegrinë e vizitojnë gjatë gjithë vitit këtë vend të shenjtë. Duke qenë se është monument kulture, nuk u lejua të ndërhyhej nga banorët, të cilët tentuan të merrnin masa. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here