“Zgjohet” Vllaznia, afron në Shkodër ish-sulmuesin e Palmeirasit

0
386

Merkato e verës po shkon drejt fundit dhe klubet e Superiores po nxitojnë të përmbushin objektivat e tyre në treg, duke tentuar të bëjnë goditje të forta në ditët e mbetura të gushtit, për të përmirësuar cilësisht grupet e tyre dhe për të qenë gati për sezonin e ri, i cili nis javën e ardhshme. Natyrisht, ka shumë boshllëqe teke të gjitha klubet, pasi lëvizjet e këtij viti në merkato nuk kanë qenë nga më të goditurat e viteve të fundit. Madje kësaj merkatoje, hiq emrat e lojtarëve të Kombëtares që ka grumbulluar Tirana, disa veteranë si Vangjeli, Osmani e ndonjë tjetër, skuadrat e tjera kanë bërë merkato me emra të zakonshëm në kampionat. Por duket se këtë linjë e prishi Vllaznia, e cila, përkundër të gjitha atyre që ishin shkruar e thënë për të gjatë këtyre ditëve, bëri një goditje të fortë, duke marrë një lojtar brazilian që shpreson të bëjë diferencën në garë, pra një lojtar që vjen me bujë në kampin shkodran. Një lëvizje që mund të ngjallë interes në Shkodër, pavarësisht statistikave të lojtarit, por njëherësh i jep drejtim ekipit në fazën ofensive, një repart që ka pasur probleme gjatë edicioneve të fundit si pasojë e braktisjes që klubi i ka bërë akademisë, pra lojtarëve të dalë nga akademia shkodrane. Pra, Vllaznia duket se ende nuk e ka përfunduar merkaton e verës dhe ditën e djeshme ka firmosur një sulmues brazilian. Emerson Brito dos Santos është futbollisti më i ri i Vllaznisë dhe vjen nga skuadra e Al Sibit në Oman. Sulmuesi 28-vjeçar që në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e Palmeirasit, shihet si zgjidhja e Vllaznisë për sulmin, duke shpresuar që të jetë një sulmues si Xhunior në sezonin e shkuar. Në fakt, statistikat nuk flasin për një sulmues që shënon shumë, megjithatë pritet të shihet ambientimi i tij në Shkodër. “Vllaznia bën një tjetër goditje ne merkato. Mesditën e sotme është firmosur kontratë me futbollistin brazilian Emerson Brito Dos Santos. Ai luan në pozicionin e sulmuesit të mirëfilltë dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur me disa ekipe ne Brazil, mes te cilëve edhe me klubin e njohur te Palmeirasit, ndërkohë që sezonin e kaluar ka luajtur ne Oman. Emerson ka firmosur një kontrate njëvjeçare me klubin tonë, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Me ardhjen e këtij lojtari, skuadra merr edhe më shumë formë edhe në repartin e sulmit, por drejtuesit e klubit janë duke punuar edhe për përforcime të tjera”, shkruhej në njoftimin e klubit. Duhet thënë se kjo lëvizje mund të xhelozojë skuadrat e tjera të Superiores, të cilat kanë probleme me repartin ofensiv. Kujtojmë që Rexhinaldo, golashënuesi më i mirë i edicionit të kaluar, është larguar në një kampionat tjetër, ndërsa lojtarë si Ekuban dhe Soue, apo edhe ndonjë tjetër, nuk janë më pjesë e kampionatit tonë dhe sulmuesit tipikë gjenden me vështirësi. E thënë ndryshe, Superiorja ka prej dy vjetësh që është në krizë për sulmues të mirë, nga sulmuesit që shënojnë të paktën 20 gola në një edicion. Ndoshta Vllaznia dha një shembull të kundërt, duke marrë një lojtar që ka dalë nga Palmeirasi, megjithëse statistikat e tij lënë për të dëshiruar. Në kampionatin shqiptar ai mund të rezultojë sukses dhe kjo është domethënëse për një klub që deri dje ishte në krizë dhe po bën përpjekje të mëdha të lerë pas krahëve problemet e të nisë të mendojë seriozisht për edicionin e ri, sezon i gjatë që starton me javën e parë pikërisht fundjavën e ardhshme. Vllaznia ka edhe një javë kohë që të formatojë grupin dhe trajneri Jonuz ka pak ditë në dispozicion që të harmonizojë elementët dhe repartet për të nxitur një Vllazni që nuk e ka më petkun e dikurshëm që rivalizonte me klubet e mëdha të kryeqytetit./ Adriatik BALLA 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here