Komisioneri Publik i bindur për shkarkimin e Zaganjorit, rrëzon provat e reja të dorëzuara nga kryegjyqtari, ja diskutimet në KPA

0
349

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa nuk u lëkund ditën e djeshme përballë provave të reja të paraqitura nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Ky i fundit në seancën e mëparshme të mbajtur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, depozitoi 23 prova të reja që, sipas tij, provojnë ligjshmërinë e pasurive të tij. Por këto prova u rrëzuan dje nga Komisioneri Publik. Gjatë seancës së djeshme, Florian Ballhysa i mori me radhë provat e Zaganjorit, duke u shprehur në fund se ato mbeten thjesht në nivel deklarativ dhe nuk provojnë ligjshmërinë e pasurive të kryegjyqtarit të Lartë. “Lidhur me prapësimet e tij të paraqitura në seancën e kaluar, Komisioneri vlerëson se shkaqet e ankimit nuk janë ndryshuar. Shkaqet e ankimit mbeten për t’u marrë në shqyrtim e për t’u gjykuar nga trupa gjykuese. Lidhur me provat e reja të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, ato janë thjesht në nivel deklarativ. Për 4 pasuritë në Tiranë, subjekti ka paraqitur një deklaratë noteriale nga 4 bashkëpronarët, ku thuhet se ata kanë financuar në mënyrë të barabartë për ndërtimin e godinës. Aty thuhet se detyrimet tatimore janë paguar, por subjekti nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion të ri shpjegues për pasuritë në fjalë. Në vlerësimin tonë, kjo deklaratë noteriale e subjektit të rivlerësimit nuk sjell risi dhe nuk pasqyron fakt apo rrethanë juridike të re që nuk ishte paraqitur më parë nga subjekti. Ato janë nivel deklarativ”, tha Florian Ballhysa. Komisioneri Publik përmendi si provë të re të depozituar nga Zaganjori edhe një kontratë me KESH, por sipas tij, kjo nuk mund të quhet provë e re sepse është paraqitur edhe më parë nga subjekti.

Bursa në Gjermani

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori kishte paraqitur prova edhe për të provuar se nga bursa e fituar në Gjermani, kishte kursyer 2.6 milionë lekë. Sipas Komisionerit, për këtë Zaganjori kishte dorëzuar një dokument me vulë apostile nga shteti gjerman. Por për Florian Ballhysën, Zaganjori nuk është në gjendje që të provojë shumën e kursyer përmes këtij dokumenti. “Mbetet e paprovuar shuma e kursyer nga kjo bursë në vlerën 2.6 milionë lekë. Subjekti sqaroi se të ardhurat nuk kanë qenë vetëm nga bursa, por edhe nga një projekt ku ishte i përfshirë gjatë kohës që ishte në Gjermani. Sipas Komisionerit, pretendimet e subjektit mbeten në nivel deklarativ. S’ka asnjë dokumentacion ligjor që të tregojë shumën e shpenzuar për jetesë gjatë periudhës në fjalë. Sa iu takon të ardhurave nga qiraja me “British Council”, subjekti nuk paraqiti asnjë provë për të provuar se këto të ardhura duhet të konsiderohen si të ligjshme. Asnjë provë nuk është paraqitur edhe për të provuar mënyrën e transferimit të të ardhurave nga kjo kontratë”, u shpreh Ballhysa në seancën e djeshme në KPA. Pasi Komisioneri Publik përfundoi konkluzionet e tij për provat e reja, fjalën e mori kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Ai këmbënguli se gjatë ushtrimit të detyrës ka zbatuar vetëm ligjin dhe se i ka paguar taksat. Po ashtu, ai paraqiti edhe 10 prova të reja, për të cilat Komisioneri u shpreh po në moment, duke ripërsëritur se u qëndron shkaqeve të ankimit. Pasi u shprehën të dyja palët, trupa gjykuese u tërhoq për vendim të ndërmjetëm nëse do të pranonte provat e Zaganjorit apo jo. Në përfundim, trupa gjykuese vendosi t’i pranojë si prova aktet e paraqitura nga kryegjyqtari. Ajo e shpalli të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët që të parashtrojnë konkluzionet përfundimtare në datën 17 korrik. Pas kësaj seance, pritet që të merret vendimi përfundimtar për Zaganjorin, i cili rrezikon shkarkimin.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here