Kandidon për në SPAK, KPK zbardh arsyet pse e konfirmoi në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi

0
1151

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e konfirmimit të dhënë pak ditë më parë për prokurorin e Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi. Nakuçi është edhe kandidat për në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Sipas vendimit të KPK, prokurori e ka deklaruar saktë pasurinë e tij dhe se e justifikon atë me burime të ligjshme. “Bazuar në parimin e objektivitetit dhe të proporcionalitetit subjekti ka kryer deklarim të saktë të pasurive dhe të interesave privatë, si edhe ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë së tij. Subjekti e ka dorëzuar në kohë deklaratën e pasurisë. Ai nuk është përpjekur të fshehë apo të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, në posedim ose në përdorim të tij. Në rastin e subjektit të rivlerësimit, z. Ened Nakuçi, nuk vërtetohen shkaqet që Kushtetuta i ka parashikuar të tilla që, nëse vërtetohen, do të zbatohej parimi i prezumimit në favor të masës disiplinore të shkarkimit. Për sa më sipër, Komisioni vlerëson se subjekti i rivlerësimit justifikon me burime të ligjshme krijimin e pasurive (gjendjet e likuiditeteve në llogari bankare dhe ato cash) dhe kryerjen shpenzimeve përgjatë gjithë periudhës që ka ushtruar funksionin si prokuror”, argumenton KPK në vendim. Ened Nakuçi ka dalë i pastër edhe në kriterin e figurës. Për të, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport pozitiv. “Nga hetimi administrativ nuk u gjetën elemente që të vërtetojnë ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në nenin DH, të Aneksit të Kushtetutës. Deklarimet e subjektit të rivlerësimit rezultuan të sakta dhe të vërteta. Trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit, z. Ened Nakuçi, ka arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës”, thuhet në vendim. Ndërsa lidhur me aftësitë profesionale, KPK gjeti disa probleme të vogla me dosjet e hetuara prej tij, por që i dërgoi për inspektim në organet kompetente. Pra, për KPK, problemet e konstatuara nuk janë të mjaftueshme për ta shkarkuar nga detyra prokurorin Ened Nakuçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here