Triumfi në Kupën e Shqipërisë dhe vendi i dytë në kampionat ishin një pikënisje e mirë për Kukësin e sezonit të ri, me verilindorët që premtuan përforcime serioze në verë, për të tentuar kalimin e turit të parë në Europa League dhe më pas për t’u përqendruar totalisht te gara për titull. Megjithatë, vera deri tani ka pasur shumë fjalë dhe pak vepra, sepse trajneri Ernest Gjoka deri tani ka marrë shumë pak lojtarë në merkato, ndryshe nga sa mendohej. Vetëm porta dhe mbrojtja janë repart të kompletuar, ndërsa në repartet e tjera situata është shumë shqetësuese. Porta është në duar të sigurta me Frashërin dhe Avdylin, pas afrimit të ish-portierit të Kamzës. Cuculi, Teqja, Shameti dhe Lulaj garantojnë qendrën e mbrojtjes, Kitanovski është përforcim cilësor në krahun e djathtë me Maliqin si alternativë kur të kthehet nga një dëmtim i pësuar në prill dhe Rrumbullaku e Musta mbulojnë më së miri krahun e majtë, por aty Rrumbullaku do të largohet pas kupave të Europës. Mesfusha dhe sulmi janë repartet që mbajnë në ankth Gjokën, sepse Musolli e Limaj janë dy mesfushorët e vetëm në qendër, Rroca do të veprojë si sulmues i dytë nga halli, Çyrbja, Ethemi e Valdet Rama mbeten alternativa në krahë, me Mustën që do të improvizohet mesfushor nëse nevojitet. Çyrbja e Valdet Rama pas kupave të Europës do të largohen, ndaj sërish merkatoja do të ndizet. Sulmi është katastrofë: ka mbetur vetëm Shkurtaj, i cili do të mbajë peshën e një reparti ku afrimi i vetëm është i riu Çema. Largimi i Reginaldos ka lënë një gropë të madhe dhe këtë verë klubi ka kërkuar pa fund në treg për emra cilësorë, por herë për kërkesat e larta të lojtarëve të kontaktuar e herë për hezitim të presidentit Gjici, asnjë nuk është afruar, pa harruar që shumë emra të ofruar nuk kanë qenë cilësorë. Me pak fjalë, me përjashtim të portierëve, Kukësi ka vetëm 14-15 futbollistë realisht, gati për të luajtur dhe për të mbajtur peshë në ekip. Nëse ndokush dëmtohet, sidomos në qendër të mesfushës dhe në sulm, atëherë mbetet të luajnë disa nga të rinjtë e klubit. Aspak serioze për një ndër 2-3 klubet më të fuqishëm në Shqipëri! Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, duket se do ta ketë shumë të vështirë për të bërë një performancë të mirë me Debrecenin, pasi ka mungesa të mëdha. Reparti i sulmit është më shqetësuesi për trajnerin Gjoka, duke qenë se Reginaldo u largua, por tekniku ka marrë dhe një surprizë tjetër të keqe. Verilindorët kanë udhëtuar drejt Ohrit, por me ekipin nuk është bashkuar Roger Junior. Braziliani u mendua se do të ishte pjesë e nënkampionëve për të luajtur në Europë, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Ai nuk është pjesë e skuadrës dhe nuk do të luajë në Europë, një tjetër goditje e keqe për trajnerin Gjoka në prag të sfidave europiane me Debrecenin. Shorti nga krahu tjetër nuk është treguar i favorshëm, pasi hungarezët janë një ekip i mirë, pavarësisht se nuk po kalojnë momente të arta. Ndërkohë nëse verilindorët do të kalojnë Debrecenin ata do të kenë një ndeshje të vështirë në turin e dytë, ku do të përballen me Torinon. Nëse kjo ndodh ekipi i Ernest Gjokës nuk do ta luajë në Torino ndeshjen e vajtjes. Stadiumi “Olimpico” në Torino është i mbyllur për momentin, sepse po ndryshohet bari i fushës dhe nuk mund të luhet aty deri në 1 gusht, edhe për faktin se janë planifikuar disa evente, përfshirë koncerte nga Laura Pausini e Biagio Antonaçi. Torino kishte bërë kërkesë që ndeshjen e vajtjes në Europa League ta luante në transfertë, por UEFA ka refuzuar. Në këtë mënyrë, me shumë gjasa ndeshja e vajtjes kundër Kukësit apo Debrecenit do të luhet në 25 korrik në stadiumin Moçagatta në Alessandria, me 6.000 vende.








































