Nuk kanë fund skandalet në Akademinë e Shkencave, 4 anëtarë me mandat në shkelje të ligjit, janë mbi 75 vjeç

0
327

Skandalet në Akademinë e Shkencave duket se nuk kanë fund. Qeveria i dha një goditje të fortë një vit më parë, pasi kryetari dhe nënkryetari ndërronin karrigen me njëri-tjetrin. Por përveç kësaj, ka pasur shumë abuzime. Gazeta ka treguar se si janë shpenzuar milionë lekë çdo vit dhe shumë anëtarë nuk kanë bërë asnjë botim, ndërsa dhe ata që kanë bërë librat nuk u shtien, por janë stok në magazina. Gazeta po tregon sot skandalin që është bërë me përzgjedhjen e anëtarëve. Ajo që bie në sy është se shumica e anëtarëve janë anëtarësuar që në vitin 2008, pra kanë mbi 10 vite aty dhe nuk ka pasur proces tjetër ripërtëritjeje. Sipas ligjit për Akademinë e Shkencave, ky institucion ka në përbërje, anëtarë të përhershëm, anëtarë të asociuar dhe anëtarë nderi. Po sipas ligjit, anëtarët e rregullt të Akademisë mbajnë titullin “Akademik” dhe të tillë janë 30 veta. Në këtë grup përfshihen edhe Anëtarët e përhershëm të Akademisë dhe të tillë janë deri në 10 veta. Anëtarët e asociuar të Akademisë mbajnë titullin “Akademik i asociuar” dhe të tillë janë 15 veta. Ndërsa në nenin 6/1 tregohen raste kur shkarkohen anëtarët, të cilat janë: mbush moshën 75 vjeç; jep dorëheqjen; zgjidhet apo emërohet në funksione drejtuese në parti politike apo organe kushtetuese; deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë; dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; shkarkohet me dy të tretat e votave të gjithë anëtarëve të Asamblesë për akte e sjellje që cenojnë rëndë figurën e anëtarit të Akademisë. Por si është situata sot në Akademi, a zbatohen këto përcaktime ligjore? Nga një hulumtim i gazetës rezulton se 4 anëtarë aktualë të përhershëm janë në shkelje të ligjit. Në faqen zyrtare në internet të Akademisë së Shkencave, rezulton se anëtarë të përhershëm janë 27 emra. Nga këta 4 janë në moshë mbi 75 vjeç. Më konkretisht: Akademiku Apollon Baçe, rezulton 76 vjeç; Anesti Kondilli, 76 vjeç; Bashkim Resuli, 76 vjeç dhe Floran Vila, 77 vjeç.

Largimi

Këta emra duhet që të largohen nga Akademia, pasi ligji ka dy përcaktime, ata që kalojnë 75 vjeç largohen, ndërkohë që rrinë anëtarë mbi këtë moshë vetëm emrat që kanë rëndësi për shkencën. “Anëtarët e përhershëm të akademisë zgjidhen akademikët që kanë mbushur moshën 75 vjeç dhe kanë një kontribut të shquar, të vlerësuar gjerësisht, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare”, thuhet në ligj. Sipas faqes së Akademisë, rezulton se anëtarë zyrtarë mbi 75 vjeç janë: Bahri Beci; Bardhyl Golemi; Dhimitër Haxhimihali; Ismail Kadare; Ethem Likaj; Luan Omari; Emin Riza dhe Jani Thomai. Pra 4 emrat e mësipërm rezultojnë si anëtarë të përhershëm dhe jo si anëtarë mbi 75 vjeç. Kjo do të thotë se kemi shkelje hapur të ligjit. Nëse këta anëtarë vijojnë të mbajnë detyrën dhe për më tepër nëse përfitojnë honorare, apo benefite të tjera financiare, do të jetë akoma dhe më e rëndë. Po ashtu, shkelje ka dhe sa i takon numrit të anëtarëve, por për të gazeta do të shkruajë një ditë tjetër. Të gjitha këto tregojnë gjendjen ku është zhytur Akademia e Shkencave. Në Parlament është një ligj i ri që po diskutohet, ndërsa është zgjedhur dhe Skënder Gjinushi kryetar. Mbetet të shihet nëse do ketë frymë të re, apo situata ka ndryshuar nga shiu në breshër./ Kliti Topalli 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here