Tërhiqet Lulzim Basha, i gatshëm për dialog me PS me ndihmën e ndërkombëtarëve, del hapur kundër LSI

0
338

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri hapa pas dje sa i takon dialogut me mazhorancën. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, ai u tërhoq nga përgjigja e tij e prerë se dialog me Edi Ramën nuk do të ketë. Lideri demokrat kërkoi ndihmë nga ndërkombëtarët që të ndërhyjnë për t’i dhënë zgjidhje situatës, ndërsa la të nënkuptohet se ulet në tryezën e dialogut nëse Rama është kryetar i PS, por jo kryeministër. “Jam njohur këto 24 orë me qëndrimet e partnerëve ndërkombëtare. U kam komunikuar miqve ndërkombëtarë se mirëpres angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në vend. PD dhe opozita kanë qenë dhe janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politik me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur këtë krizë dhe për t’u kthyer shqiptarëve sovranitetin nga një qeveri dhe parlament ilegjitim. Largimi i Edi Ramës është çelësi që i hap rrugën këtij procesi politik. Një qeveri tranzitore me detyra të përcaktuara qartë. Të gatshëm të diskutojmë edhe për detyra e reforma të tjera kushtetuese e zgjedhore që askush në të ardhmen të mos ketë me mundësi të marrë peng vendin, duke marrë peng zgjedhjet.

Duke krijuar një shumicë të pakicës që sundon mbi shumicën e pakicës. Kundërshtarin nuk e përcaktoj unë, por Rama nuk mund të jetë kryeministër”, tha Lulzim Basha. Sipas burimeve të gazetës, kjo zmbrapsje e tij vjen për shkak të ndërhyrjes dhe ultimatumeve të ndërkombëtarëve. Basha e pranoi vetë dje që ka patur telefonata nga eksponentë të lartë të SHBA-BE, të cilët si duket se kanë detyruar që të qetësojë tonet dhe të ulet për një zgjidhje të përbashkët me qeverinë. Ndikim ka pasur edhe takimi i djeshëm me ambasadorin britanik. Por tërheqja e Lulzim Bashës është në kundërshtim me qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ish-deputeti i LSI, Petrit Vasili deklaroi dje për mediat se opozita nuk ka për çfarë të dialogojë me Ramën. Deklarata e tij e prerë ishte pas ftesës që kryeministri i bëri Bashës, por kreu demokrat duket se po del kundër LSI dhe po jep sinjale për t’u ulur në tryezën e dialogut.

Basha: Intensifikojmë protestat

Kryetari i PD, Lulzim Basha foli dje edhe për vijimin e aksionit opozitar. Ai deklaroi se do të ketë intensifikim të protestave. Sot pritet që Basha të zhvillojë edhe një takim me strukturat e larta të PD për të marrë një vendim konkret se kur do të jetë protesta e radhës. “Do të vazhdojmë protestat. Kemi dhe do të kemi protesta. Beteja e nisur po shkon drejt fitores. Por ajo që do të përcaktojë këtë është qëndresa e qytetarëve. Të gjithë të bashkuar fund tranzicionit, për t’i dhënë fund kësaj qeverie. Jemi të vendosur për të qëndruar për një qeveri për qytetarët. Kam marrë me mijëra mesazhe. Optimizmi dhe dëshira vihet re te të gjithë ata që më dërgojnë pa fund mesazhe pozitive. Situata sot ngjan me fundin e regjimit të vitit 1991”, tha kreu i PD. Ai theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit nuk mund të zhvillohen. “Më 30 qershor asnjë qeveri nuk i plotëson dot kushte për zgjedhje të lira e të ndershme, miliona karta identiteti (me të cilat votohet) janë te pavlefshme, regjistri i votuesve është i vjetëruar dhe shpesh i manipuluar. Ka edhe shumë detaje të tjera teknike që e pamundësojnë 30 qershorin. Edhe nga pikëpamja formale, data 30 qershor është i rrëzuar. Nga pikëpamja politike, absolutisht është i rrëzuar”, deklaroi Lulzim Basha.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here