Opozita protestë në të njëjtën kohë me serbët, sulmohet policia dhe digjet një makinë, ja çfarë ndodhi gjatë tubimit 4 orësh

0
352

Opozita ka protestuar ditën e djeshme para Kryeministrisë, me qëllim rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Protesta e opozitës nisi në orën 18:00 para selisë së qeverisë, ku shumë mbështetës të partive kryesore me në krye PD dhe LSI kishin udhëtuar nga rrethet por edhe nga Tirana për të qënë pjesë e këtij tubimi. Fillimisht, protestuesit u grumbulluan para dy selive respektive sikundër është ajo e PD dhe LSI dhe më pas nisën marshimin për tek Kryeministria. Rreth orës 18 e 20 minuta, sheshi para selisë së Këshillit të Ministrave nisi të popullohej. Protestuesit njëzëri thërrisnin në kor “Rama ik”, “Qeveri e krimit”, ndërsa mbanin në dorë edhe pankarta me mbishkrime antiqeveritare, flamuj të PD, ishin pajisur me vuvuzela, maska anti-gazlotsjellës, por edhe me çadra të zeza me mbishkrimin “Ik”. Ndërkohë që ish-deputetët e LSI dhe militantët e kësaj partie në veshjet e tyre kishin stampuar flamuj kombëtar.

Çahet kordoni i policisë

Ndryshe nga protestat e tjera, tubimit të djeshëm i janë bashkuar edhe fermerët. Këta të fundit kanë mbërritur rreth orës 18:00, teksa kishin me vete arka të shumta me fruta, ku dominonin domatet. Në shenjë solidarizimi me fermerët ata kanë nisur të hedhin domate drejt Kryeministrisë, të cilat nuk kanë mundur t’i shesin, për t’i treguar qeverisë se nuk i ka mbështetur. Po ashtu në të njëjtën kohë me fermerët, protestës së opozitës iu bashkuan edhe blegtorët, të cilët derdhën bidona të shumtë me qumësht, në shenjë hakmarrje ndaj qeverisë. Nga ana tjetër, protestuesit kanë sulmuar me bojë godinën e Kryeministrisë, ndërsa persona të maskuar në mesin e protestës, kanë ndezur flakadanë, të cilat i kanë hedhur para godinë së qeverisë. Ndërkohë që disa të tjerë kanë edhe hedhur kapsolla në drejtim të uniformat blu, ndërsa dhjetra prej protestuesve u përplasën me policinë, duke carë kordonin dhe u ngjitur në shkallët e Kryeministrisë. Ndërsa nga ana tjetër, Policia e Shtetit iu ka bërë thirrje organizatorëve të largojnë personat me maska dhe të mos qëllojnë. Më pas protestës, iu bashkua edhe kreu i PD, Lulzim Basha, i cili mori fjalën, duke folur para protestuesve dhe hedhur akuza ndaj qeverisë, nga një podium i improvizuar në mes të turmës.

PD-LSI protestë në të njëjtën kohë me serbët

Interesant ishte fakti se paralelisht me protestën e djeshme të opozitës në Tiranë, protestohej edhe në Serbi dhe Malin e Zi, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një skenar paralel në këto shtete. Kauza e të treja protestave të opozitave në këto vend të Ballkanit është largimi i qeverive respektive. Po a fshihet dora ruse pas këtyre skenarëve? Fakti që protestat kanë startuar dje në të njëjtën kohë si në Podgoricë, Beograd ashtu edhe Tiranë, tregon qartë dhe dëshmon se pas opozitave në këto tre shtete fshihet dora e Moskës. Ndërsa një tjetër detaj që vulos se kemi të bëjmë me një skenar të ngjashëm, ishte podiumi në mes të turmës, duke treguar se opozitat janë në unison me njëra-tjetrën dhe se destabilizimin e Ballkanit e kërkon Rusia, paralajmërime këto që i kanë bërë edhe SHBA-BE.

Basha shëtit protestuesit

Pas rrethimit të Kryeministrisë, kreu i PD, Lulzim Basha udhëhoqi turmën drejt sallës së Kuvendit, duke iu kthyer rutinës së tij, sikundër është shëtitja e protestuesve. Basha dhe ish-deputeti Noka, të cilët dirigjuan turmën, i kërkuan kësaj të fundit që të protestojnë para Parlamentit, pasi sipas tyre, ajo godinë simbolizon krimin. Po si ndodhi incidenti tek Parlamenti? Rreth orës 13:00, protestuesit kanë marshuar drejt Ministrisë së Brendshme, më pas janë drejtuar drejt Parlamentit, ku u vendosën tek sheshi përballë tij. Ndërkohë përballë protestuesve të opozitës, qëndronin një grup i vogël policash, të cilët ndodheshin aty për të ruajtur sigurinë e godinës së Kuvendit, ndërsa të pranishëm ishin edhe disa efektivë të Gardës së Republikës. Në konfrontim e sipër, protestuesit u përplasën me uniformat blu, duke tentuar të mësyjnë brenda Parlamentin, ndërkohë që policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, duke e shpërndarë turmën e uritur për destabilitet. Në orën 22:00 Basha, ashtu si çdo herë tjetër, tërhoqi protestuesit drejt selisë së PD, duke shënuar mbylljen e protestës. Aty ai mbajti fjalimin përmbyllës. 

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here