LSI drejt zhdukjes totale, pas djegies së mandateve nis shkarkimi i militantëve të fundit në administratë, zbardhet urdhri i Ramës

0
385

Lëvizja Socialiste për Integrim rrezikon të zhduket fare si parti. Teksa nga njëra anë Monika Kryemadhi vendosi të djegë mandatet, nga ana tjetër janë vënë në lëvizje socialistët për t’i dhënë goditjen finale LSI. Gazeta ka mësuar se në mbledhjen e fundit të Kryesisë, kryeministri Edi Rama ka pasur në fokus pikërisht reformën në administratë dhe pastrimin e saj nga militantët. Sipas informacioneve, fillimisht ka qenë zoti Braçe, i cili dy muaj e gjysmë pas marrjes së detyrës ka informuar Ramën dhe deputetët për gjendjen, në të cilën ndodhet administrata publike. Mësohet se numri dy i qeverisë ka vërejtur shumë raste, kur punonjës të administratës, sidomos ata të partisë së Kryemadhi nuk dinë se cila është puna e tyre, pa pasur një përshkrim të detyrës që duhet të kryejnë, kompetencat dhe detyrat që duhet të përmbushin, duke ia vënë në dukje të gjitha shqetësimet shefit të qeverisë. Madje, mësohet se Braçe ia ka bërë të ditura të gjitha këto konstatime Ramës, ku sipas tij, problematika qëndron sa i takon punësimeve, kur PS ishte në koalicion me LSI. Pas Braçes, fjalën e ka marrë kryeministri Rama, i cili mësohet të jetë shprehur se në administratë duhet të punojnë specialistët më të mirë, pavarësisht bindjeve të tyre politike, ndërsa ka qenë i prerë në urdhrin e tij, duke shkarkuar militantët e mbetur në zyrat e shtetit të partisë së Kryemadhit. Në këtë kontekst, burimet theksuan se i pari i qeverisë është shprehur se çdo punonjës i administratës publike duhet të dijë mirë se çfarë pune bën dhe çfarë detyrash realizon.

Përputhshmëria me vendet e punës

Interesant është fakti se në takimin që kryeministri Edi Rama ka pasur me deputetët dhe zëvendëskryeministrin Erjon Braçe mësohet se Rama ka kërkuar përputhshmëri të diplomës së punonjësit të administratës me vendin e punës. Në të kundërt, siç pohuan burimet, Rama është shprehur se ata duhet të lënë punën. Por një porosi të veçantë, i pari i qeverisë pati edhe për deputetët. Gazeta ka mësuar se gjatë takimit, kreu i ekzekutivit u ka kërkuar dhe deputetëve të PS-së që të sjellin informacion për performancën e drejtuesve lokalë të administratës, por dhe punonjësve të veçantë nëse raportohen problematika në shërbim nga qytetarët, meqenëse ata ndodhen më afër qytetarëve. Nga ana tjetër, gazeta mësoi se shefi i selisë rozë ka kërkuar që të bëhet kujdes me punësimet në administratën publike, ku prioritet t’u jepet dhe studentëve të ekselencës në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike.

Shkrirja e LSI, prioritet i socialistëve

Gazeta ka mësuar se prej disa muajsh, kryeministri Edi Rama kanë urdhëruar vartësit e tyre në bazë që të mobilizohen fort, me qëllim “shkrirjen” e LSI. Kështu, pas porosive të vazhdueshme të Ramës si në mbledhjet e Kryesisë së PS por edhe në mbledhjet e Asambleve, mësohet se baza socialiste ka nisur mobilizimin. Mësohet se një nga taktikat që socialistët do të përdorin kundrejt militantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim është se do t’i ftojnë në Partinë Socialiste, duke iu kujtuar që në fillim kanë qenë socialistë. Ndërsa një tjetër taktikë që socialistët do të ndjekin për të joshur militantë, është gjatë takimeve me militantët do t’u kërkojnë këtyre të fundit që t’i bashkohen PS, pasi LSI nuk do të vijë më në pushtet dhe se vetëm Partia Socialiste ua garanton vendin e punës. Ndërkohë që taktika tjetër është shkarkimi nga puna./Rigels SELIMAN

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here