Avokat Spartak Ngjela ka deklaruar dje se ndërkombëtarët nuk do lejojnë destabilizimin e vendit. Duke folur në një studio televizive, ai u shpreh se deputetët që po hyjnë në Parlament kanë mbështetjen e SHBA-BE. Madje ai ka hedhur një tezë se mund të kemi qeveri teknike të drejtuar nga ndërkombëtarët.
“Njëra nga palët u dorëzua dhe e pranoi reformën, ndërsa pala tjetër mendon se zgjodhi një rrugë tjetër. Politika ndërkombëtare po i fut zëvendësuesit. Ata kanë thënë që në fillim se do të merren me zëvendësuesit. Ky është një informacion i saktë. Ata janë shprehur se duan numrin. Por mazhoranca do të tolerojë. Pritet një qeveri teknike, drejtuar nga ndërkombëtarët që do të drejtojë reformën në mënyrë profesionale. Qeveria teknike do të jetë çështje kohe”, tha Ngjela.
Teksa komentoi djegien e mandateve nga ana e opozitës, Spartak Ngjela e vlerësoi atë si frymë antipopullit. Sipas tij, opozita po ndjek një strategji shumë të gabuar. Ai u shpreh se reforma në drejtësi po afron dhe për këtë arsye u ka sugjeruar që të gjejnë avokatë sepse do u duhen gjatë hetimeve. “Neni 70 i Kushtetutës, thotë se deputeti përfaqëson popullin. Është folje dhe tregon veprim. Nuk lidhet me asnjë mandat tjetër detyrues. Opozita është në rrugë të gabuar. Këta duhet të gjejnë avokat dhe jo protesta. Duhet të përgatiten të ulin koston e dëmit. Dëmi është i provuar. Mazhoranca nuk u tërhoq edhe pse rrezikon. Nuk ka rrugë tjetër, është vetëm rruga gjyqësore. Asgjë tjetër nuk i shpëton. Kjo gjë ndodhi edhe me gjyqtarët. Politikanët e dinë se si do të shkojë kontrolli i problemit të tyre”, tha Spartak Ngjela.
Opozita me djegien e mandateve i ka hyrë një rruge pa krye. Tashmë gjithçka është në dorë të kryeministrit, i cili nuk jep asnjë shenjë se do pranojë qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme. PD e LSI duan largimin e Ramës, por po hasin në rezistencën e ndërkombëtarëve. Mbetet të shihet se çfarë do ndodhë, por kriza politike sa vjen dhe thellohet.