Muzetë e Beratit, mbi 1900 vizitorë në dy muaj

    0
    557

    Muzeu Ikonografik “Onufri” dhe Muzeu Etnografik, Berat në dy muajt e parë të vitit janë vizituar nga 1979 vizitorë, duke rritur kështu dhe të ardhurat nga biletat. Muzetë për periudhën janar-shkurt 2019 u vizituan nga 1979 vizitorë vendas dhe të huaj, duke realizuar 257 560 lekë të ardhura nga biletat. Muzeu Kombëtar “Onufri” në Berat, është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas bizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.

    Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Ky tip banese është ndërtuar nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytetet me rente feudale. Është banesë dykatëshe, me çardak në njërin krah. Kati përdhes (hajati) është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri, të ndërtuara mbi qemerë në harkada guri. Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Vëmendja kryesore në këtë banesë i kushtohet hapësirës së hajatit dhe çardakut. Ajo është e pajisur me orendi te palëvizshme, si kamare, sergjene, dollap muri, pus, oxhakë etj, të cilat shërbenin për ruajtjen e objekteve shtëpiake. Banesa është e përbërë nga disa dhoma që shërbenin për të ndenjur, për punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri. Gjithashtu këtu ka edhe shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here