Arkivi i filmit sjell në kinema “Kastori Tarka”

0
537

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit shfaq sot në kinema “Agimi” filmin “Kastori Tarka”. AQSHF e cilëson një film klasik për të gjithë familjen. Regjisori i mirënjohur David Cobham (1930-2018), e bazoi historinë e “Kastorit Tarka” (1979) në librin e shkrimtarit dhe poetit David Williamson të botuar në vitin 1927. Për dekada të tëra, Williamson refuzoi ofertat e vazhdueshme për ta kthyer librin në film, mes tyre edhe dy kërkesa nga vetë Walt Disney. Skenari i parë i filmit ishte mbi 400,000 fjalë, duke e shtyrë për vite me rradhë këtë prodhim të vështirë. “Kastori Tarka” ishte një film shumë ambicioz për industrinë e filmit në Mbretërinë e Bashkuar: Të gjitha kafshët duhej të trajnoheshin për të rikrijuar magjinë e romanit, deri duke përdorur edhe lokacionet e sakta të librit. AQSHF bën me dije se me narracion nga aktori fitues i Oscar, Peter Ustinov, “Kastori Tarka” ende renditet si një nga 100 filmat më të suksesshëm familjar të të gjitha kohërave. “Nuk jemi të sigurt se si ndodhi, por AQSHF ka një print 35mm të këtij këndvështrimi të lavdishëm të natyrës dhe njeriut. Ejani për këtë shfaqje të veçantë me fëmijët tuaj ose me fëmijën që të gjithë kemi ende brenda. Në anglisht me titra shqip. Bileta 300 lekë, dhe pse personazhi kryesor i këtij filmi është në fakt një vidër uji, e njohur ndryshe si “Lundërza”, AQSHF respekton titullin e vjetër të filmit si dhe po ndan me ju spotin origjinal të filmit”, bën me dije AQSHF. Filmi shfaqet në kuadër të ciklit “Thesaret e Arkivit të Filmit” është një program i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor. “Në fondin e AQSHF ruhen prodhime shqiptare apo të huaja, të prezantuara nën një dritë të re; të shoqëruara me biseda, kumtesa të mbajtura nga profesorë, gazetarë, regjisorë apo studiues, duke ofruar për publikun një këndvështrim të ri për veprën filmike sot në vitin 2019, si për mesazhin që ajo vepër përcillte/përcjell, zbërthimin nga ana sociale-kulturore-politike-ideologjike, ashtu edhe për realizimin nga ana teknike. Të gjitha shfaqjet janë të kuruara, me introduksion dhe bisedë pas shfaqjes, me projeksion 35mm dhe me titra në anglisht, për veprat shqiptare, apo me titra shqip, për veprat e huaja”, shkruan AQSHF për këtë program.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here