Miron Kotani: Krijuesit nuk mbështeten, pritëm 30 vjet për një konkurs për veprat muzikore

0
459

Për krijimtarinë muzikore mungon mbështetja nga institucionet që merren me politikat kulturore, një problematikë që sipas krijuesve deri tani është treguar që nuk tregohet vëmendje. Për kompozitorin Miron Kotani problem është dhe mungesa e veprave shqiptare në skena. Sipas tij duhet që në institucionet e artit në vend dhe nga orkestrat kombëtare të ekzekutohen vepra muzikore të shkruara nga autorët shqiptarë. Në intervistën për “SOT” kompozitori shikon problem dhe mungesën e një biblioteke kombëtare dhe të një librarie muzikore. Sipas tij shqetësuese është edhe fakti që sot nuk botohen veprat e autorëve shqiptarë nga institucionet tona. Në reagimin e tij kompozitori Kotani shprehet se ministritë që merren me arsimin dhe artin në vend duhet të tregojnë vëmendje për krijimtarinë artistëve shqiptarë. Sipas kompozitorit sot nuk zbatohet as e të drejta e autorit, por mungon dhe një fond për të mbështetur muzikën shqiptare.

-Në punën tuaj krijuese, ku jeni fokusuar këto kohë?

Për momentin unë jam tek muzika klasike. Merrem me orkestracione për orkestra, rregulloj partet. Ndonjë gjë konkrete nuk kam, por jam në punë e sipër për disa pjesë muzikore. Sa herë që ulem në piano del ndonjë motiv dhe unë e shkruaj, e hedh në nota, por se kur do të dalë në skenë, nuk e di. Por jam gjithmonë në proces pune dhe krijimtari muzikore.

-Ju herë pas here jeni shprehur se institucionet duhet të kenë më shumë vepra shqiptare në aktivitetin e tyre, orkestrat po ashtu. Çfarë po ndodh?

Sipas meje duhet të ketë një raport në përqindje sidomos për orkestrat që janë kombëtare, në institucionet që janë qendrore të artit dhe kulturës në vend. Kjo do të thotë që është një ligj i pashkruar, por duhet që të jetë e specifikuar që orkestrat që janë kombëtare kryesore në vend 80 përqind të repertorit duhet ta kenë muzikë shqiptare. Kështu funksion në botë. Të jesh përshembull në Itali, në La Scala në Milano dhe mos të vër pjesë nga Verdi apo Puçini është skandaloze. Të njëjtën gjë ne duhet të bëjmë dhe për muzikën shqiptare këtu, ku orkestrat ajo e RTSH dhe e TOB apo dhe të tjera që janë kryesore në jetën artistike duhet patjetër të lozin muzikë shqiptare, sepse ndryshe për çfarë janë? Duhet ti bëjnë hyzmetin muzikës tonë shqiptare. Je shqiptar dhe duhet patjetër të ekzekutosh muzikën tënde shqiptare, ndryshe nuk do të sjellë zhvillim qoftë në aspektin krijues apo dhe në atë ekzekutues dhe të dirigjimit shqiptar.

-Artistë të ndryshëm janë shprehur se mungojnë sot veprat madhore të reja si opera dhe balete shqiptare. Sa është shqetësuese kjo për ju si krijues?

Sigurisht që është shumë shqetësuese që nuk kemi vepra shqiptare opera dhe balete në skena. Më mirë për mua është të dëgjoj dhjetë herë baletin “Delina” të Çek Zadesë se sa të dëgjoj 10 herë një vepër të huaj të Puçinit. Herë pas here ka vetëm premiera botërore të muzikës së huaj, por jo. Ne duhet të kemi dhe veprat tona shqiptare në skenë. E kanë detyrim të japin muzikën shqiptare. Ndaj them unë që duhet të ketë një përqindje, dhe ne jemi akoma pa një ligj që të caktojë këtë për orkestrat tona kombëtare, që në 80 përqind të aktivitetit të tyre të ekzekutojnë muzikën shqiptare. Muzika jonë aty është. Pse kishim ne muzikë shqiptare deri në vitet ‘90 dhe pas këtij viti nuk kemi më? Ndërkohë që ka dhe shumë vepra të tjera që janë cilësore dhe janë kompozuar dhe pas viteve ’90, por nuk luhen në skena. Unë jam dhe për ngritjen e një institucioni që të jetë përgjegjës për muzikën shqiptare. Le të ketë një bord dhe të mblidhen emrat e njohur të kompozicionit dhe dirigjimit shqiptar, dhe të kenë një përkujdesje për muzikën shqiptare. Pse duhet të prisnim ne ‘30 vjet për të ekzekutuar muzikën e filmave shqiptarë? Për 30 vjet nuk kishim muzikën e filmave shqiptare, ndërkohë që para dy vitesh u bë një koncert i mrekullueshëm me muzikën e filmave shqiptarë, pra do të thotë ne kemi krijimtari muzikore, por duhet të ekzekutohet në skena. Kanë qenë njerëz të papërgjegjshëm që drejtojnë politikat kulturore në vend që këtë muzikë e kanë mbajtur të mbyllur në ‘30 vjet. Kur them për muzikën e  filmave kështu mendoj dhe për simfonitë, por operën, baletin, që e mbajnë të kyçyr muzikën  shqiptare. Muzikë shqiptare ka shumë, dhe unë mund të them pa frikë vetëm nga koleksioni im që kam seleksionuar në vite janë mbi 200 kompozitorë shqiptarë që fare mirë mund të ishin bërë 200 koncerte recitale nga orkestrat tona kombëtare. Por ku jemi? Nga këta 200 kompozitorë, atyre që iu është bërë koncerti recital numërohen me gishtat e dorës. Janë 5 ose 6 autorë shqiptarë që iu është bërë koncerti dhe pjesa tjetër që presin. Ne e kemi komplet të kyçyr dhe të izoluar muzikën tonë shqiptare. Kur them 200 kompozitorë, flas për ata që janë profesionistë në muzikë shqiptare duke filluar që nga Çesk Zadeja, Kristo Kono, etj, që kanë shkruar muzikë të mrekullueshme.

-Kërkesa juaj drejtuar institucioneve që deri tani nuk ka gjetur zgjidhje është dhe mungesa e një biblioteka kombëtare për muzikën shqiptare. Nëse kjo mungon, çfarë sjell?

Kjo është shumë shqetësuese. Përfytyroni një moment sikur ta kesh të bllokuar të gjithë letërsinë shqiptare. E njëjta gjë ndodh dhe me muzikën. Lënda e muzikës fillon që në klasë të parë dhe ai që ka prirje më pas vijon në muzikën. Por nuk e kemi sot në sistem. E kemi komplet jashtë sistemit të gjithë muzikën shqiptare, qoftë për profesionistët apo publikun e gjerë. Unë jam që të jetë ky institucion, por mund të jetë dhe një drejtori brenda Ministrisë së Kulturës, mund të jetë një degë në Bibliotekën Kombëtare që merret vetëm me muzikën. Duhet një institucion që merret me muzikën shqiptare dhe ta ruajë atë, ta arshivojë, dhe pse jo ta sjelli dhe ta serviri pranë publikut shqiptar dhe atij të huaj. Pika fundore e problematikës është mungesa e një librarie muzikore, por ne jemi akoma të pika A te e para. Ne akoma nuk po grumbullojmë veprat e kompozitorëve shqiptarë që po na lënë dita- ditës. Çfarë ndodh me kompozitorin kur nuk është më në këtë jetë? Kush duhet të merret me grumbullimin e materialeve? Pra duhet një institucion me ligj që të merret me këtë punë. Të krijohet biblioteka kombëtare e muzikës shqiptare më pas të krijohen rregullat, ligjet për të bërë të mundur që këto vepra të botohen. Ne jemi shumë mbrapa dhe Kosovës në këtë drejtim.

 -Pse?

Sepse Kosova ka 10 -15 kompozitorë që veprat e tyre janë të botuar të plota nga Akademia e Shkencave të Kosovës. Këtu në Shqipëri nuk ka një kompozitor të vetëm që ti jetë botuar vepra e plotë. Këtë duhet ta bëjë shteti shqiptar nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Një nga arsyet dhe që orkestrat që nuk luajnë sot muzikë shqiptare është që mungojnë partet, sepse nuk janë të dixhitalizuara. Janë me shkrime dore dhe janë të paekzistueshme, duhet një rinovim dhe një përkujdesje e shtetit shqiptar. Ashtu si botohet De Rada, Naim Frashëri, etj, ashtu duhet të botohet dhe Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Feim Ibrahimi dhe të tjerë. Ne jemi shumë të vonuar në këtë drejtim dhe flas për të gjitha gjinitë e muzikës, e lehtë, popullore dhe me rradhë.

 -Çfarë ka ndryshuar për mbështetjen e krijuesve për muzikën me fondet nga Ministria e Kulturës. Si vijon situata?

Mbështetja duhet të vijë në dy drejtime. E para duhet të vijë nga zbatimi i të drejtës së autorit dhe ne jemi akoma në fazën A, ku e drejta autorit është në hapat e para të zbatimit të ligjit. Jemi pas vendeve të rajonit në këtë pikë. Kjo do të thotë autorët edhe sot nuk marrin të ardhura nga krijimtaria e tyre të bërë në vite dhe që vazhdojnë të bëjnë në procedim e sipër. E dyta është mungesa e projekteve për financimin e muzikës shqiptare nëpërmjet veprave ose konkurseve, që duhet të organizohen nga shteti. Ne kemi pritur 30 vjet që të bëhet një konkurs kombëtar për operën, simfoni, vepër madhore, kur ky konkurs mund të ishte i përvitshëm dhe të merrnin pjesë autorët shqiptarë. Por sa më shumë jashtë vëmendjes të jetë arti dhe kultura aq më tepër problematika do të kemi nesër. Edhe unë bashkohem me mendimin e autorëve të tjerë, që duhet të ketë nga Ministria e Kulturës një buxhet të ndarë për krijimtarinë muzikore, që deri tani ka munguar. Mbështetja duhet të jetë shumë herë më e madhe nga shteti për autorët, por dhe pjesa më e madhe e tyre shkojnë në drejtim të paditur ose nuk bëjnë atë gjënë e duhur që të marrin nga fondet e taksapaguesve. Ne  vuajmë përditë mungesën e fondeve për aktivitete, mungesën e fondeve për botimin. Nuk ka botime, nuk ka koncerte, është një problematikë shumë serioze.

 -Si mbijeton një krijues sot, sepse ju folët për jo pak problematika?

Një krijues sot mbijeton vetëm duke bërë punë nga më të ndryshmet. Unë kam dhe miq dhe shokë që kemi mbaruar Akademinë e Arteve, njëri shet pica, tjetri kamerier, dhe me art nuk mund të mbash familjen dhe të ecësh para. Arti është ushqim pas buke dhe ti duhet të kesh disa profesione, ku i katërti të jetë arti dhe kompozitor. Por ju thashë që çdo gjë fillon nga e drejta e autorit. Në momentin kur krijuesi nuk merr asnjë të ardhur atëherë janë të detyruar të bëjnë dhe punë të tjera, që të mbajnë familjet me bukë.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here