Konfirmohen skenarët rusë në Tiranë, kreu i SHISH jep alarmin në Komisionin e Sigurisë: Moska ka shtuar influencën në Shqipëri

    0
    529

    Rusia ka shtuar ndjeshëm tentativat kohët e fundit për të ndërhyrë në vendin tonë. Prej disa ditësh eksponentë të ndryshëm ndërkombëtarë dhanë alarmin se Ballkani ishte i rrezikuar, por autoritetet shtetërore shqiptare kanë prova se Rusia po bën tentativa për të ndërhyrë dhe në vendin tonë. Dje ka raportuar në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, kreu i SHISH Helidon Bendo, i cili ka dorëzuar dhe një raport sekret mbi influencën ruse në vendin tonë. Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, Bendo ka deklaruar para deputetëve se SHISH ka siguruar informacione që tregojnë se ndikimi rus kohët e fundit është rritur ndjeshëm. Sipas tij, vëmendja më e madhe e Moskës është administrata, pasi po teton të infiltrojë njerëz të saj në institucione të larta të vendit. Duke raportuar për punën e SHISH gjatë vitit 2018, Bendo është shprehur se po bashkëpunohet dhe me autoritetet partnere për të mbajtur në monitorim individë të caktuar që dyshohet se kanë lidhje me Moskën. Por sipas tij, gjatë vitit që lamë pas influenca ruse është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2017. I pyetur nëse Rusia ka kapur dhe politikanë të rëndësishëm, Bendo ka preferuar të mos japë asnjë informacion, por është mjaftuar me faktin se vendi ynë po rrezikohet nga tentakulat e Rusisë. Sipas burimeve të gazetës, raporti në fjalë i ka shkuar dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa shumë shpejt vetë SHISH do publikojë pjesërisht detaje të këtij raporti. Deklarata e Bendos dje konfirmon atë që gazeta “SOT” ka deklarua prej disa ditësh: Moska po bën ç’është e mundur për të ndërhyrë në punët brendshme të Shqipërisë. Bendo nuk ka dhënë detaje mbi strategjinë që ndjek Rusia, por sinjalet janë se po tenton të rekrutojë funksionarë të lartë të administratës shtetërore, por dhe elemente të tjerë që duan destabilizim. Në këtë mënyrë rusët informohen mbi gjithçka që ndodh në shtetin shqiptar.

    Roli i opozitës

    Pas deklaratës dje të Bendos, shtohen dyshimet mbi opozitën shqiptare. Eksponentë të lartë ndërkombëtarë kanë hedhur akuza se Sali Berisha dhe funksionarë të tjera kanë lidhje të forta me Moskën. Ndër ta kanë qenë ish-nëndrejtori i FBI apo dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein. Po ashtu gazeta dy ditë më parë bëri një listë me të gjithë elementë që mësojnë se era ruse fryn mbi opozitën shqiptare. LSI e PD u kapën me presh në duar duke lobuar në SHBA përmes parave të rusëve. Por edhe dhuna ndaj institucioneve dhe djegia e mandateve, është një skenar shumë i preferuar nga Moska. Ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe madje Komandanti i NATO dhanë alarmin se Rusia po shfrytëzon vendete me destabilitet dhe që kanë përplasje politike. Si për ironi skenarët e opozitës ndodhën në një kohë kur vendi ynë pret hapjen e negociatave me BE dhe i vetmi shtet që nuk e do këtë gjë është Rusia, pasi influenca e saj në Ballkan do minimizohet. Por një gjë është e qartë: Ndërkombëtarët dhe SHISH janë vënë në lëvizje për të marrë masa në çdo rast. Shumë shpejt do marrë jetë baza e NATO në Kuçovë dhe pastaj vendi do monitorohet nga ndërkombëtarët. Megjithatë protesta e opozitës i ka shqetësuar ndjeshëm ndërkombëtarët pasi çdo ditë që kalon, shtohet bindja se pas tyre fshihet Moska.

    Kliti Topalli

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here