“Komedia që shkon për dreq” sjell humorin anglez për 3 net në skenën e “arTurbina”

    0
    870

     Vepra “Komedia që shkon për dreq” shkruar nga Henry Shields, Jonathan Sayer dhe Henry Lewis me regji nga Driada Dervishi vjen në skenë te “arTurbina”. Me një kast aktorësh të njohur vepra për tre mbrëmje me radhë do të jetë në sezonin artistik teatror këtë muaj. Rolet në vepër luhen nga aktorët Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Monika Lubonja, Sokol Angjeli, Alesia Xhemalaj, Donald Shehu dhe Alban Musa. Një shfaqje brenda shfaqjes që nis si një dramë misterioze dhe përfundon në një komedi. Kjo është “Komedia që shkon për dreq”, fituese e çmimit “Lorenc Oliver”, si komedia më e mirë. Vetë regjisorja Driada Dervishi bën me dije se shfaqja do të jetë vetëm tri net në Tiranë. ““Komedia që shkon për dreq” e nis pranverën te “arTurbina”, shprehet regjisorja për komedinë, që do të jetë në skenë mbrëmjet e datave 12, 13 dhe 14 mars. Vepra teatrore, që ka bërë bashkë artistë të njohur nga Tirana dhe Durrësi është një komedi angleze, por me gjasë publiku e gjen veten në shumë skena. Kjo vepër është vënë në skenë në 40 vende të botës, një komedi hit, një shfaqje brenda shfaqjes që vjen edhe në skenën shqiptare. Kjo vepër vjen për tre net me radhë në skenë te “arTurbina” këtë sezon artistik, ndërsa edhe vetë Teatri Kombëtar e ka lajmëruar këtë shfaqje teatrore në kalendarin e muajit mars. Në komedinë “Komedia që shkon për dreq” një trupë amatore aktorësh pas përpjekjeve të pafund për të vënë një shfaqje më në fund gjejnë një vepër, që ka aq personazhe sa janë dhe ata vetë. Në shtëpinë e Havershameve ka ndodhur një vrasje, të gjithë janë të dyshuar. Dashuri të fshehta, dredhi nga më mizoret ndodhin në këtë shtëpi. A do mundet vallë të gjendet fajtori? Dhe pikërisht atëherë kur gjërat duket sikur po shkojnë për mbarë në të vërtetë shkon për dreq. Aktorët harrojnë tekstin, aktores kryesore i bie të fikët, harrojnë të fusin objekte. Pavarësisht gjithçkaje ata janë të vendosur ta çojnë këtë komedi deri në fund.

    Spektatori dhe shfaqja

    Aktore në vepër si dhe as/regjisore Alesia Xhemalaj shprehet se në këtë shfaqje për herë të parë publiku do të përballet me atë që ajo e quan “kuzhina e teatrit”. Për aktoren përmes kësaj vepre teatrore që vjen si komedi në skenë publiku përfshihet me atë që ndodh pas kuintave. “E veçanta e kësaj shfaqje ndryshe nga çdo shfaqje tjetër, është se për herë të parë spektatori përballet me “kuzhinën” e teatrit siç e quajmë ne, pra përfshihet në çka ndodh jashtë skenës, apo mbrapa kuintave”, tregon aktorja Alesia Xhemalaj, e cila gjatë kësaj kohe po vijon të jetë në skenë dhe me të tjera role. Duke folur për këtë komedi vepër e shkruar nga autorë të njohur anglez aktorja Alesia Xhemalaj vijon se publiku do të shikojë situata nga më komiket këtë herë te “arTurbina”. “Në një shfaqje që supozohet të shkoj si çdo shfaqje tjetër këtu çdo gjë përmbyset. Dhe përpjekja e aktorëve për ta çuar deri në fund është e jashtëzakonshme, duke sajuar situata nga më komiket. Skenografia përmbyset, aktores i bien të fikët dhe për të improvizuar fusin punëtoren e skenës të luaj rolin. Ndizet zjarr në skenë pa dashur, pra asgjë nuk ndodh siç ishte supozuar të ndodhte”, tregon aktorja Alesia Xhemalaj, një nga emrat e vlerësuar të teatrit tonë. Vepra është me përkthim në shqip nga Artur Lena, muzika nga kompozitori Endri Sina, skena Beqo Nanaj, kostumet Elva Bella, lëvizja skenike Donald Martini, grafika e video Endri Beqo dhe realizimi i videos nga Ervis Muhadri./Julia VRAPI

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here