Policia e Shtetit bëri dje me dije se tetë persona janë arrestuar në lidhje me protestën e djeshme të opozitës para Parlamentit. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, policia deklaroi se personat në fjalë janë arrestuar për shkak se kanë kundërshtuar efektivët blu, janë kapur me mjete të forta dhe kanë tentuar skenarë dhune. Po ashtu, policia theksoi se janë proceduar penalisht ne gjendje të lirë 9 persona të tjerë. “Gjatë tubimit, pjesëmarrësit kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta e lëndë plasëse (gurë, shkopinj, fishekzjarre etj.) punonjësit e Policisë, të planizuar me shërbim në ambientet përreth Kuvendit të Shqipërisë. Arrestimi i tyre u bë pas analizimit të pamjeve filmike, raport-shërbimeve dhe provave të tjera të mbledhura gjatë protestës. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe ‘Prishja e qetësisë publike’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë që ditën e djeshme pak para nisjes së protestës së opozitës në orën 10:00, Policia e Shtetit kishte vendosur nën kontroll godinën e Parlamentit të Shqipërisë, ku kishte dislokuar shumë efektivë policie. Sipas informacioneve, kanë qenë rreth 1000 forca të shumta efektivesh nga Policia, FNSH, RENEA dhe Garda e Republikës dhe agjentë civilë, të cilët u angazhuan për mbrojtjen e institucionit të Kuvendit dhe mbarëvajtjen e protestës. Para Parlamentit ishin tre kordonë me efektivë policie, ndërsa në ambientet brenda godinës dhe godinave përreth ra në sy prani e forcave Speciale RENEA dhe snajperë. Po ashtu, brenda godinës së Kuvendit kishte edhe prani të mjeteve të blinduara, ambulancave dhe autoboteve me ujë. Madje, sipas informacioneve një nga autobotet e kishte ujin me bojë, me qëllim që në rast mësymje të protestuesve të opozitës brenda godinës së Kuvendit, kur të lëshohej ujë ndaj tyre, policia do ta kishte më të lehtë identifikimin e personave të dhunshëm. Kujtojmë që gjatë fundjavës Policia e Shtetit kishte dhe kamera sigurie me rezolucion të lartë në ambientet përreth Parlamentit, të cilat me anë të zmadhimit, do të dokumentojnë të gjithë aktivitetin e protestuesve, por do të bëjnë edhe identifikimin e tyre biometrik.