Kompozitorët, apel Ministrisë së Kulturës: Po humbet krijimtaria 30 vjeçare, duhet urgjentisht një librari muzikore

0
520

Literatura muzikore shqiptare është në pritje të një përkujdesje shtetërore të munguar prej shumë vitesh. Kjo pohohet nga krijuesit e muzikës në vend, të cilët herë pas here shprehen se janë institucionet që duhet ta kenë në kujdes muzikën shqiptare. Sipas krijuesve të gjesh sot partet muzikore nuk është e lehtë ndaj ata shprehen se janë institucionet, që duhet të mendojnë për krijimin e një librarie muzikore në vend. Kompozitori Miron Kotani shprehet se problemi nuk është kaq i lehtë dhe fondet muzikore që janë shkruar nga autorë të ndryshëm nuk mund të qëndrojnë të kyçura. Sipas kompozitorit Kotani muzika shqiptare duhet të jetë e përdorshme dhe e shfrytëzueshme nga të gjithë. “Muzika shqiptare nuk mund të jetë e përdorshme dhe e shfrytëzueshme vetëm për studentet apo profesorët e muzikës. Duhet të ketë akses cilido dhe një person përshembull, që në moshën 60 vjeçare fillon të marrë mësimet e para në muzikë (instrument). Ai do të blejë përshembull partiturat e Festivalit të Parë të Këngës në Radio për ti luajtur në piano. Ku mund ti gjejë? Po një pianist virtuoz do të ketë në bibliotekën personale të gjithë krijimtarinë e Tonin Harapit për piano, siç bëjmë përshembull në letërsi me Ismail Kadarenë me të gjitha vëllimet e veprës së tij. Ku duhet të drejtohet?”, vijon kompozitori Miron Kotani. Herë pas here kritik për problemet në krijimtarinë muzikore shqiptare kompozitori Kotani cilëson se u bënë tre dekada që nuk ka vëmendje. “30 vite kaluan pa asnjë librari muzikore si për profesionistët ashtu dhe për publikun. Mendoj se problemi është shumë më madhor dhe i takon shtetit si në rastin e Bibliotekës Kombëtare të krijojë një institucion (qoftë kjo dhe brenda saj bibliotekës) që të merret me zgjidhjen e këtij problemi. Jemi shumë të vonuar dhe meraku im është, që kjo punë duhet të kishte filluar sot për të shpresuar diçka për nesër. Deri më tani rezultati është zero. Janë në pritje mbi 200 kompozitorë shqiptarë, që presin tu botohen e tu luhen veprat. Më thoni ju lutem ku duhet të drejtohem për të gjetur këngët me nota të Agim Prodanit, Agim Krajkës, Feim Ibrahimi, Tish Daisë e kështu me radhë. Këtë e zgjidh vetëm një librari kombëtare e muzikës shqiptare”, shprehet më tej kompozitori Miron Kotani.

Mungesa e botimeve

Kompozitori Miron Kotani vijon se tij deri tani botimet kanë qenë shumë të pakta, por ai shton se nëse para viteve ’90 ka qenë shtëpia botuese e librit shkollor që merrej me krijimtarinë muzikore për botimin sot pothuajse nuk bëhet asgjë. “Para ‘90 ka qenë shtëpia botuese e librit shkollor dhe ishte një degë e posaçme që merrej vetëm me botimet muzikore. Për ta bërë këtë punë duhet të jetë një institucion, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit duhet të bashkëpunojnë për këtë gjë. Të ketë akses çdo individ, nëse unë dua sot këngët e Aurela Gaçes, Ardit Gjebresë, etj, ku duhet ti gjej unë me nota që ti luaj dhe në shtëpi?”, vijon kompozitori Kotani. Edhe kompozitori Endri Sina po ashtu shprehet se është një situatë, ku deri tani askush nuk ka treguar vëmendje për të ndihmuar krijimtarinë muzikore dhe botimin e saj. “Duhet të botohen veprat, përpara ka pasur një institucion që botonte libra muzikorë dhe tani nuk është më, por që atë kohë këtë e bënte shteti. Tani jemi në kohët kur botimet pothuajse janë zero, mund të ketë pasur me ndonjë përjashtim të rrallë, apo në mënyrë private dhe jo të organizuar nga institucionet që janë për artin. Gjëja e parë është që veprat muzikore nuk kanë ndonjë shitje të madhe dhe nuk mund të bësh tregti me to ashtu siç shitet një libër artistik. Janë me tirazh të ulët dhe ne si shoqatë kemi botuar aq sa kemi mundësi. Një libër e botuam para dy vitesh me romanca shqiptare dhe tani duam të bëjmë dhe një botim me muzikë dhome”, pohon kompozitori Sina. Në reagimin e tij kompozitor dhe njëherë bën thirrjen që Ministria e Kulturës duhet të mendojë seriozisht për fatin e krijimtarisë muzikore shqiptare. “Ideja është shumë e mirë që duhet patjetër të mendohet nga Ministria e Kulturës një librari muzikore, por e para duhet dhe të botohen veprat. Nëse flasim për muzikën serioze nuk mund ta mbajë veten dhe është detyrë e shtetit e Ministrisë së Kulturës, që ta mbajë sepse e ka braktisur, të kemi botime dhe librarinë muzikore”, pohon kompozitori Endri Sina. Nuk është hera e parë që krijuesit flasin për problemet me krijimtarinë muzikore shqiptare, por duket se për institucionet deri tani problemet e tyre nuk kanë pasur vëmendje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here