Drama “Kreditorët”, dy mbrëmje në skenën e Korçës

0
430

Drama “Kreditorët” për dy mbrëmje me rradhë do të jetë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në qytetin  Korçës. “Kreditorët” vepër nga August Strindberg vjen në skenë me regji nga Luli Hoxha. Drejtoresha e tetarit të Korçës Zamira Kita shkruan se është një shfaqje që nuk duhet humbur. “Të premte dhe të shtunë, datë 8-9 mars, “Kreditorët”! Një shfaqje, që nuk duhet humbur”, shprehet drejtoresha e teatrit Zamira Kita. Vepra e Strindberg interpretohet për publikun nga aktorët Helidon Fino, Luli Hoxha, Laert Vasili, në skenë është dhe Tringa Shala. Me regji nga Luli Hoxha, një nga kryeveprat e autorit të madh skandinav vjen për të hedhur dritë mbi marrëdhëniet bashkëshortore.

Regjisore dhe aktore në dramë Luli Hoxha ka treguar më herët se është hera e dytë, që ajo punon me një vepër të autorit August Strindberg.  “Më parë në skenë kam sjellë dramën “Zonjusha Zhuli” të Strindberg. Autori, në fokus ka më tepër marrëdhëniet burrë -grua dhe këtu nis dhe zanafilla e ndërtimit të gjithçkaje. Dhe gjithë këto problematika, ai i zbërthen në këto dy vepra të tij. Në fokus të të dyja veprave është e vendosur femra, e cila mbart gjithë këtë zinxhir të marrëdhënieve”, pohon regjisorja Hoxha. Vepra është shqipëruar Laert Vasili. Në materialin mbi veprën shkruhet se krisja e marrëdhënieve bashkëshortore vjen si ngërç, i cili zbërthehet brenda 90 minutave në një skenë teatri. “Marrëdhëniet erotike, psiqike dhe ngarkesa emocionale distancojnë idealizmin e jetëgjatësisë së themeleve të një marrëdhënieje. “Kreditorët”, kjo shfaqje që trondit mekanizmin e njeriut të sotëm grushton brenda shpirtit bosh të njeriut bosh. Përbindëshat konsumues do të përballen me pangopësinë si kurth i fajit të tyre. Bota si portokall do t’i kujtojë atyre karmën që nuk vonon për të marrë atë që ka dhënë. Historia mbresëlënëse me në krye krijesën perfekte të Zotit, gruan e cila kthehet në një llogaridhënëse të pashpresë. Harruan ata që pjelloria mban emrin e saj? Vallë harruan ata që sot kërkojnë borxhin se ekzistenca e tyre varej nga kjo krijesë perfekte. Si përfundoi që pas çdo faji të lënë pezull mëkati i Evës endet si fantazëm njëlloj si miliarda vite më parë. Kush kërkon atë që ka dhënë do të mbetet në kohë dhe koha sot ka mbetur”, thuhet për veprën. Strindberg e shkroi këtë pjesë më tepër se një shekull më parë dhe triumfon frikshëm njësoj në të sotmen dhe të pandryshueshmen. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here