“Tri gra dhe Misugi” në teatër, regjisorja Bako: Publikun e kam në zemër

0
439

Drama “Tri gra dhe Misugi” në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” erdhi për publikun me regji nga Suela Bako. Një dramë nga kultura e largët orientale bazuar në novelën “Çiftja”, të shkrimtarit japonez Yasushi Inoue, që në skenë u interpretua nga Suela Bako, Romir Zalla dhe Anila Muçaj. Për regjisoren Bako teatri pa publikun është asgjë. Regjisorja shkruan se publiku dhe teatri shkaktojnë reaksion kimik, që shpie në një magji. “Një falenderim zemre për publikun! Nuk ju kam në foto, por ju kam në zemër të gjithëve! Teatri pa publikun është asgjë publiku dhe teatri shkaktojnë atë reaksion kimik që shpie në magji! Magjia ime ishit ju!”, shkruan regjisorja Suela Bako pas mbarimit të shfaqjes. Vepra me regji nga Suela Bako u shfaq për publikun në sallën “Goethe”. Më herët regjisorja është shprehur se në dramën “Tri gra dhe Misugi” publiku do të gjejë ndjesitë njerëzore. Regjisorja Suela Bako shprehet se kjo pjesë vjen në kohë, por duke e ruajtur veprën. Vepra është një dramatizim nga novela e famshme “Çiftja” e shkrimtarit japonez Yasushi Inoue dhe në thelb të saj janë tri letra dërguar Misugit, një burri, që gjendet në mes të një trekëndëshi tragjik dashurie. E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tre personazhe: aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e Orientit të largët. Për herë të parë si regjisore në skenën e teatrit, Suela Bako është shprehur se ka qenë një punë shumë impenjative për realizimin e shfaqjes. Sipas regjisores, publiku gjeti në shfaqje dashurinë, pasion, trishtimin dhe dhimbjen. “Të gjithë e ndjejnë veten brenda veprës të përfshirë. Është kaq pranë nesh me ato që përcjell vepra”, shprehet ajo mes të tjerave. Kjo shfaqje erdhi e dramatizuar nga Anxhela Çikopano e Suela Bako. Jo vetëm në skenën e Tiranës, por me këtë vepër regjisorja Bako dhe aktorët kanë udhëtuar dhe në skena të tjera teatrore të vendit. Por drama “Tri gra dhe Misugi” vijoi gjatë vitit të kaluar edhe në skenat teatrore në qytetet e Kosovës. Mbrëmja e datës 10 dhjetor të 2018, shfaqja me regji nga Suela Bako ishte në Teatrin e Qytetit në Gjilan, më 11 dhjetor në teatrin “Adriana” në Ferizaj dhe 12 dhjetor në teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë duke marrë duartrokitjet e publikut kosovar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here