Humbja e Atalantës “kryqëzon” Berishën, tifozët sondazh për ta ulur në stol

0
408

Në fundjavën që lamë pas lojtarët e Kombëtares patën një paraqitje të mirë, duke i dhënë sinjale të forta trajnerit të Kombëtares, Kristian Panuçi, i cili e ka nisur tashmë turin e vëzhgimit të shumicës së titullarëve dhe të tjerëve që kanë premisa për të qenë në formacionin e përfaqësueses për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Europian të vitit 2020. Dihet që ndeshjet do të nisin në fund të muajit mars dhe dueli i parë në radhë në ndeshjet e grupit kiu ndodhet Shqipëria, nis më 22 mars në stadiumin “Loro Boriçi “ të qytetit të Shkodrës, ku përballë kuqezinjve do të jetë skuadra kombëtare e Turqisë. Panuçi synon ta nisë mbarë këtë fazë eliminatore dhe i duhet të marrë tri pikë në hapje të aktivitetit, por që të ndodhë kjo duhet që grupi të jetë në formë të mirë he me kualitet të lartë. Ka disa shenja pozitive pas kthimit nga dëmtimi të lojtarëve Armand Sadiku, Sokol Cikalleshi dhe Amir Abrashi, teksa pritet kthimi në fushë edhe i Odise Roshit. Të gjithë këta futbollistë janë titullarë për formacionin dhe kjo është mjaft domethënëse në prag të startit të Euro-2020. Por në kulmin e momentit të mirë të shumë lojtarëve të Kombëtares, vjen një lajm aspak i mirë nga Bergamo, ku skuadra e Atalantës me të cilën luajnë dy futbollistë të përfaqësues, portieri Etrit Berisha dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti, u mund në fundjavën që lamë pas nga Torino dhe i largohet objektivave të saj për një vend në kompeticionet e UEFA-s të vitit të ardhshëm. Në qendër të kritikave është vënë pikërisht gardiani i kombëtares tonë, i cili shihet fajtor për humbjen nga tifozët e Atalantës. Në fakt, ai që vendos formacionin dhe skemën e lojës është trajneri dhe vendimin final për ata që luajnë në fushë titullar ose jo e jep pikërisht tekniku Xhianpiero Gasperini, por stafi dhe klubi janë vë nën presion, pasi tifozët kanë hapur sondazh online ku dëshirojnë që Berisha të ulet në stol. Sipas mediave sportive italiane, Etrit Berisha nuk ka qenë në formën maksimale në ndeshjet e fundit të Atalantës, ndërsa 2 humbjet e fundit në kampionat ndaj Milanit dhe Torinos kanë bërë që skuadra bergamaske të lëshojë terren në objektivin për t’u kualifikuar në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm. Siç thamë, tifozët e Atalantës, një pjesë të konsiderueshme të fajit për dy dështimet e fundit, ia kanë faturuar gardianit shqiptar. Në portalin “Calcio Atalanta” është hapur një sondazh për të zgjedhur portierin titullar në sfidën e radhës ndaj Fiorentinës në Kupën e Italisë. Pikërisht nga ky sondazh duket se tifozët e Atalantës janë të qartë për zgjedhjen e tyre, teksa ka rezultuar se 62.5 % preferojnë portierin e dytë Golini në vend të Etrit Berishës. Megjithatë, ky është vendim vetëm i tifozëve. Zgjedhja i takon vetëm stafit teknik, me në krye trajnerin Gasperini, i cili në këtë sezon i ka besuar Berishës në pjesën më të madhe të ndeshjeve. Situata ku ndodhet portieri shqiptar në këtë moment duket e rrezikshme, pasi, nëse stafi vendos ta ulë në stol dhe në vend të tij të angazhojë Golinin, atëherë Berisha mund të humbasë rolin e titullarit në përfaqësuese. Aq e besueshme bëhet kjo sa edhe po të jetë në formacionin titullar të Atalantës, vështirësia për të luajtur në Kombëtare lidhet me rivalitetin e ashpër me Thomas Strakoshën, pasi 24-vjeçari i Lacios po kalon një moment fantastik dhe nuk e ka vënë në asnjë moment në diskutim aktivizimin si titullar me skuadrën e kryeqytetit italian. Ky rivalitet është i mirë në fakt për Panuçin, pasi ka mundësi zgjedhjeje për dy portierë mjaft të mirë që luajnë në elitën e futbollit të Serisë A, por për Berishën do të ishte “vrastare” nëse humbet rolin e titullarit tek Atalanta, sepse në këtë rast vendin në kombëtare do ta zinte automatikisht Strakosha.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here