Policia e përgatitur për skenarë dhune, kërkohet asistencë nga shërbimet partnere, pritet të angazhohen rreth 2 mijë forca të rendit

0
370

 Policia e Shtetit po përgatitet për skenarë dhune më 16 shkurt. Thirrjet e vazhdueshme të liderëve të opozitës për të rrëzuar kryeministrin kanë bërë që shumë militantë të përgatiten për revolta e destabilizim. Por kjo ka vënë në lëvizje dhe policinë, pasi të shtunën pritet të angazhohen rreth 2 mijë përfaqësues të uniformave blu. Drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj deklaroi në një studio televizive se janë marrë të gjitha masat për protestën e paralajmëruar të opozitës, e cila do të mbahet ditën e shtunë në 16 shkurt. Dervishaj u bëri apel protestuesve që të ruajnë gjakftohtësinë gjatë protestës, ndërsa bëri me dije se Policia e Shtetit ka informacione që në protestë mund të ketë persona që do të tentojnë akte dhune. “Policia e Shtetit është duke u organizuar, duke menduar masat që do marrë për mbarëvajtjen e tubimit. Qëllimi është që policia të sigurojë një tubim normal, që të mos cenohen tubuesit. Ka informacione që do vijnë protestues nga rrethet. Policia nuk ka për qëllim të pengojë protestuesit. Në këtë kontekst ne jemi duke u përgatitur që të marrim masat me numrin e pjesëmarrësve. Njoftimi zyrtar është konsumuar dje dhe ka një bazë reale. Policia punon për të marrë informacione me strukturat brenda vendit, por edhe jashtë saj. Bashkëpunon me misionet policore që ne na monitorojnë që janë në Shqipëri dhe shkëmbejmë informacione. Ka indicie që individë të veçantë mund të tentojnë të kryejnë akte dhune. Thirrja ime si zyrtar i policisë është që secila palë të ruajë gjakftohtësinë. Policia do përpiqet të jetë garante e sigurisë”, deklaroi drejtori Dervishi. Ndërkohë nga ana tjetër, drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj theksoi se janë caktuar personat përgjegjës që do të kontaktojnë me organizatorët e protestës, ndërsa vuri në dukje faktin se do të veprohet në bazë të ligjit nëse protesta përshkallëzon. Në mes të javës edhe policia doli me një deklaratë për mediat, duke thënë se opozita po pajton persona me rekorde kriminale për të sulmuar Kryeministrinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here