Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dje katër projektligje të rëndësishme. Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, në drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Parlamenti miratoi projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar me 74 vota pro; “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Lisbonës” me 74 vota pro; dhe projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në amendamentin e Kigalit të protokollit të Montrealit, me 75 vota pro. Në emër të grupit parlamentar të PS, për projektligjin “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, deputeti Bujar Çela u shpreh se ndryshimi i propozuar në seancë përbën një ndërhyrje të qeverisë për të lehtësuar aplikimet dhe procedurat e subjekteve, që duan të kenë lehtësira për ushtrimin e aktivitetit. “Unë mendoj që ky është një hap shumë i rëndësishëm, lehtësues edhe në kuadrin e të gjithë përdorimit të lëndëve djegëse, ku gazi është një ndër ato që konsiderohet me mjaft leverdi ekonomike”, deklaroi Çela.
Ndërsa, për projektligjin “Për aderimin e Shqipërisë në marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar”, në emër të grupit parlamentar të PS diskutoi deputetja, Tatjana Nurçe Piro, e cila deklaroi se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare do të ishte më i favorshëm për mbajtësit e të drejtave mbi emërtimet e origjinës, pasi me anë të një aplikimi të vetëm do të mund të shkurtohet kohë dhe kosto për mbrojtje në 28 shtetet anëtare (aktualisht), përfshirë edhe vendet fqinjë, si: Greqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Italia. Lidhur me projektligjin e tretë të parashikuar për shqyrtim në rendin e ditës, projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në amendamentin e Kigalit të protokollit të Montrealit”, foli deputeti i PS, Besnik Baraj, i cili deklaroi se sipas gjetjeve të fundit shkencore, një nga shkaktarët e hollimit të shtresës së ozonit rezultonte edhe çlirimi në atmosferë i gazit frigoriferik. Ndërsa lidhur me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë -Republika e Shqipërisë, 2014-2020, alokimet e vitit 2017”, diskutoi në emër të PS, deputeti Roland Xhelili.