Zgjedhjet vendore, ja si ka ndryshuar pasuria e krerëve të bashkive në vend, nga llogaritë bankare, te apartamentet dhe makinat luksoze

0
360

Procesi i zgjedhjeve vendore 2019 është shumë pranë. Në datën 30 qershor të vitit të ardhshëm qytetarët në mbarë Shqipërinë do të votojnë për krerët e bashkive. E ndërsa nga ky proces na ndajnë vetëm gjashtë muaj, gazeta, duke u bazuar tek të dhënat e publikuara nga Open Data, ka bërë një bilanc të pasurisë së kryebashkiakëve momentalë më të njohur. Nëse i hedhim një sy listës, ajo që bie në sy është fakti se të gjithë krerët e bashkive zotërojnë llogari bankare, një pjesë e të cilëve janë të shumtë në numër. Kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi ka në zotërim katër llogari bankare, ndërsa po ashtu bie në sy se ai ka marrë edhe një kredi bankare 3.000.000 lekë. Një numër të madh llogarish bankare ka edhe kryebashkiaku u Vlorës, Dritan Leli, plot shtatë të tilla. Ato vijojnë si më poshtë: Llogari pranë BKT me gjendje 65.191,66 lekë; Llogari e përbashkët me gjendje 347,18 euro; Llogari pranë Raiffeisen Bank e krijuar me të ardhurat nga paga si kryetar bashkie me gjendje 1.538.263 lekë; Llogari pranë Tirana Bank, me gjendje 11.969,42 lekë; Llogari pranë BKT me gjendje 0 lekë; Bashkëshortja, gjendje llogarie pranë BKT me vlerë 50.905,53 lekë; Bashkëshortja, llogari e përbashkët pranë NBG Bank me gjendje 0 euro. Njësoj si Armando Subashi, edhe Leli ka marrë një kredi prej 30 mijë eurosh. Numër rekord llogarish bankare ka kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, 18 të tilla. Dy prej tyre janë llogari bankare për fëmijët, ndërsa vihet re se bashkëshortja e tij ka 3 karta krediti. Kurse kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu ka arritur të kursejë plot 3.076.343,61 lekë nga paga, të cilat i ka depozituar në bankë.

Apartamentet dhe makinat luksoze

Përveç llogarive bankare, në pasurinë e kryebashkiakëve zënë vend edhe apartamentet apo makinat luksoze. Fran Tuci nga Bashkia Fushë-Arrëz zotëron automjet Mercedes Benz ML, blerë para vitit 2014, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka shitur 8.000 euro një automjet tip “Peugeot”. Shitja e automjeteve është karakteristikë edhe e pasurisë së kryetarit të Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu: Shitje e automjetit tip Tuareg me vlerë 425.440 lekë, është shitur për pjesë këmbimi; Shitje e automjetit tip Peugeot 308 në emër të bashkëshortes, me vlerë 12.000 euro. Një pjesë e të ardhurave nga shitja është përdorur për likuidimin e një pjese të borxhit ndaj vëllait të bashkëshortes; Të ardhura me vlerë 26.400 lekë nga shitja për pjesë këmbimi e një automjeti. Ai po ashtu ka të ardhura me vlerë 500.000 lekë si dëmshpërblim për sigurimin shëndetësor nga shoqëria Eurosig. Ndërsa e bija e kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj ka shitur autoveturën tip “Toyota” blerë në vitin 2015 me vlerë 280.000 lekë për 4.000 euro. Kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami ka blerë “Merecedes Benz” Seria E viti i prodhimit 2009, me vlerë 970.000 lekë. Në lidhje me apartamentet, bie në sy emri i kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i cili ka përdorur skemën e kontratave të shkëmbimit për përfitimin e tyre: Të ardhura nga shitja e 2 apartamenteve 72.729,95 euro. Kontrate Shkëmbimi ka shtuar pasurinë me katër apartamente në plazh, të cilat janë shkëmbyer me një Pronë në Shkozet; Me shkëmbim pasurie është fituar një apartament 245 m2 i cili është shkëmbyer me një apartament tjetër 120 m2 ndërtim vitit 1994, plus bodrum dhe garazh 32 m2 ndërtime të vitit 1999; Shtohet pasuria me një truall 4950 m2 në Xhafzotaj , plus ndërtesë tre kate. Kjo pronë është shkëmbyer me pronë tjetër e përbërë nga truall 405 m2 dhe ndërtesë 164 m2.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here