“Një pasdite në muze”, për Shqipërinë nga 1945-1990

0
518

Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Periudha e komunizmit në Shqipëri 1945-1990; Si t’i qasemi të kaluarës?”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Për të referuar për këtë temë ishin të pranishëm prof.as. dr. Sonila Boçi, shefe departamenti pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Etleva Demollari, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” si dhe sociologia Entela Binjaku. Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, tha se në vendet totalitare propaganda dhe terrori paraqet dy anë të së njëjtës monedhë.

“Kudo që totalitarizmi zotëron kontroll absolut, ai zëvendëson propagandën me indoktrinimin dhe e përdor dhunën jo aq sa për të frikësuar njerëzit, sesa për të realizuar vazhdimisht doktrinat e tij ideologjike dhe gënjeshtrat e tij praktike. Në Shqipëri i gjejmë të gjitha format e komunizmit dhe një ndikim të madh ka pasur stalinizmi, e cila ka qenë ideologji sunduese. Në jetën politike regjimi komunist shqiptar ndoqi verbërisht përvojën sovjetike. Shqipëria ishte vendi socialist me diktaturën më të egër në vendet e lindjes komuniste” tha drejtori Koçi. Dr. Sonila Boçi, midis të tjerash u shpreh se dilemat që ka historia për atë regjim janë të shumta.

“Njerëzit duan të dinë për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe vuajtjeve të atij regjimi. Kurse në krahun tjetër janë nostalgjikët që kërkojnë vetëm të mirat e sistemit. Komunizmin shqiptar ajo e ndan në tre faza: vitet 1944-1954 periudha e vendosjes dhe konsolidimit të regjimit, 1954-1970 periudha e stabilizimit relativ të tij, dhe 1970-1990 periudha e stanjacionit, krizës ekonomike dhe rënien e regjimit” vijoi ajo. Drejtoreshë e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” Etleva Demollari në fjalën e saj pohoi se çdo trashëgimi duhet mbrojtur pa dallim nga Hollivudi, tek Holokausti. Ajo foli edhe për muzeun e kujtesës që drejton dhe për programet e ndryshme që zhvillon me personat e prekur nga ai regjim, por edhe aktivitetet e shumta që zhvillon me shkollat, përmes programeve edukative. Sociologia, Entela Binjaku, prezantoi këtë aktivitet dhe u shpreh se, komunizmi është një temë e cila më shumë se çdo temë tjetër ka nevojë të trajtohet me objektivitet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here