Vetëm një ditë pasi ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj premtoi se në 2019 nuk do të pranohen më ofertat e pakërkuara, qeveria i bëri një riformulim VKM-së, që përcakton rregullat për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, sipas të cilit, oferta të tilla do të vijojnë të pranohen, por me disa kushte. Kështu, sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, autoritetet mund të marrin oferta të pakërkuara për projekte që konsiderohen të pranueshëm dhe propozuesi mund të marrë deri në 10 për qind të pikëve si bonos, por tashmë nëse vendoset që të jepet ky koncesion ose partneritet do të bëhet publikimi i projektit teknik dhe kostos së propozuar. Pas kësaj, në garë ftohen edhe operatorë të tjerë. “Nëse propozimi i pakërkuar konsiderohet i pranueshëm, autoriteti kontraktor mund të nisë procedurën për dhënien e kontratës nëpërmjet një procesi transparent dhe konkurrues”, thuhet në vendimin e ndryshuar. Kjo, deri diku duket se ka si synim rritjen e transparencës, por edhe të konkurrencës mes operatorëve. Ndërkohë, shtimi i nenit 15/1 saktëson se pas hapjes së garës propozuesit që ka bërë ofertën e pakërkuar i bëhet me dije oferta më e leverdishme ekonomike që mund të jetë bërë gjatë garës nga operatorët pjesëmarrës. Nëse ai pranon të bëjë një ofertë më të leverdishme, ai shpallet fitues. Në të kundërt, ofertuesi fitues i paguan vlerën e projektit. Nëse negocimi dështon, fitues shpallet propozuesi. “Oferta më e leverdishme ekonomike do t’i paraqitet propozuesit me qëllim paraqitjen e një oferte më të leverdishme ekonomikisht sesa oferta fituese. Nëse propozuesi pranon, atëherë ai shpallet fitues i garës dhe vijohet më tej për negocimin e kontratës. Nëse propozuesi nuk pranon të paraqesë një ofertë ekonomikisht më të leverdishme, atëherë ofertuesi fitues do t’i paguajë atij vlerën e hartimit të projektit teknik, e cila do të publikohet në dokumentet e procedurës konkurruese. Nëse palët dështojnë në negocimin e kontratës, atëherë ofertuesit do t’i mbahet vlera e garancisë së ofertës dhe do të ftohet propozuesi për negocim sipas vlerës fillestare të propozimit të tij”, thuhet në vendimin e miratuar këtë të mërkurë në qeveri.
Dhënia e bonusit
Me vendimin e djeshëm, qeveria përcaktoi dhe rregullat e reja për dhënien e bonusit. Sipas këtij vendimi, në rast pranimi të një propozimi të pakërkuar, përpara procedurës konkurruese propozuesi ka të drejtë të përfitojë nga autoriteti kontraktor, i cili vendos për një nga format e mëposhtme të bonusit: Një bonus për rezultatin tekniko-financiar të propozuar prej tij, deri në një maksimum prej 10% (të 100 pikëve në total) të vlerësimit maksimal të garës, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave; Aaplikimin e procedurës me publikim të projektit të tij, me qëllim përfitimin e ofertës më të leverdisshme ekonomike, pa ndryshuar projektin teknik. Vendimi i miratuar ditën e djeshme nuk do të zbatohet për propozimet e depozituara pranë autoriteteve kontraktore, për të cilat është marrë një vendim për leverdisshmërinë e tyre përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.