Postuar: 20/11/2018 – 08:02
Numri i punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror pritet të rritet gjatë vitit 2019. Komisioni i Sigurisë, i cili zhvilloi edhe një seancë dëgjimore me kryetarin e SHISH, Helidon Bendo për buxhetin e vitit të ardhshëm, ka përpiluar një raport dhe ia ka dërguar Komisionit të Ekonomisë për miratim. Në raportin e siguruar nga gazeta “SOT”, vihet re që Komisioni i Sigurisë ka miratuar kërkesën e SHISH për një shtesë në personel. Sipas raportit, ky organ do t’i forcojë radhët me 85 punonjës të rinj. “Buxheti i vitit 2019 për SHISH, në krahasim me vitet e mëparshme vlerësohet pozitiv, një buxhet i cili mbështet kryerjen e detyrave kryesore për këtë shërbim dhe rolin e tij për sigurinë kombëtare. Rritja e buxhetit në shumën 1.575.000 lekë, tregon qartë synimin e qeverisë për forcimin dhe modernizimin e këtij shërbimi si nevojë për t’iu përgjigjur sfidave të rëndësishme në çështjet e sigurisë. Komisioni mbështet kërkesat e këtij shërbimi për një shtesë në organikë me 85 punonjës”, thuhet në raport.
Sistem i posaçëm për informacionin
Shërbimi Informativ Shtetëror do të pajiset edhe me një sistem të posaçëm që do të ndalojë rrjedhjen e informacionit. Një gjë e tillë bëhet e ditur në raportin e përgatitur nga Komisioni i Sigurisë për Komisionin e Ekonomisë. Sipas këtij raporti, ky sistem ka një rëndësi shumë të madhe për sigurinë dhe për këtë arsye qeveria duhet të gjejë fondet për të. “Kërkojmë po ashtu të sjellim në vëmendjen tuaj, nevojën për shërbimin e mirëmbajtjes së një sistemi të klasifikuar të dhënash e që i shërben kryesisht dy institucioneve, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Sistemi në fjalë është investim i huaj, shumë i rëndësishëm për sigurinë, prandaj duhet të zgjidhet akomodimi i shumës për mirëmbajtjen e tij, në kushtet kur sistemi nuk mund dhe nuk duhet të dështojë. Në vitin 2019, Agjencia Shqiptare e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes do të marrë drejtimin e Komitetit të Inteligjencës së NATO-s dhe vetëkuptohet që performanca e vendit tonë në këtë drejtim duhet të rritet edhe nëpërmjet detyrimit për të siguruar mirëfunksionimin e një sistemi të tillë”, thuhet në raport.
Sistem ushqimi për Gardën
Komisioni i Sigurisë kërkon në raport edhe që punonjësit e Gardës së Republikës të kenë mundësinë e trajtimit financiar dhe ushqimor për shkak të detyrës së vështirë të tyre. Ata kërkojnë edhe njehsimin e pagave të mjekëve të sistemit të burgjeve me ato të mjekëve të sistemit të përgjithshëm shëndetësor. Për këtë, Komisioni i Sigurisë kërkon 38.400 mijë lekë.
Rritja e pagave
Përveç Komisionit të Sigurisë, tek Komisioni i Ekonomisë kanë dorëzuar raportet e tyre të gjithë komisionet e tjera parlamentare. Midis të tjerash, tek raporti i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese bie në sy se janë zbardhur shifrat e punonjësve që do të përfitojnë rritje page prej 7%. “Rritjen e pagave në sektorët e shëndetësi, arsim parauniversitar, mbrojtje dhe sistemi penitenciar me një rritje prej 7%. Gjithashtu parashikohet dhe një rritje e pagës për punonjësit e përfaqësive diplomatike. Numri i përfituesve është 64.865 punonjës me një kosto prej 3 miliardë lekë në vit. Nga kjo rritje do përfitojnë 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë; 35.783 staf mësimor; 6.800 ushtarakë; 3.560 policë të burgjeve; 356 punonjës të përfaqësive diplomatike”, thuhet në raport. Të gjitha këto raporte do t’i shkojnë Komisionit të Ekonomisë i cili do të vendosë më pas nëse do të miratohen kërkesat e tyre.
MimozaIbra