“Karakteret dhe ngjarjet në libër janë imagjinarë”. Botuesit e romanit thriller “Presidenti është zhdukur” janë kujdesur të vendosin shprehjen standarde, për të mos i lidhur ngjarjet dhe personazhet me ngjarje dhe emra konkretë, por kur njëri prej dy autorëve është ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zor të besosh se në të nuk ka edhe shumë të vërteta. Mbledhje, takime, telefonata, debate me tone të ngritura, strategji veprimi…
Një roman krejt i veçantë në llojin e vet, një bestseller i padiskutueshëm për javë të tëra, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vjen edhe në shqip nga shtëpia botuese “Argeta LMG”, nën përkthimin e Maklena F. Nikës dhe Mirela Priftit. “Presidenti është zhdukur”, me autorë Bill Clinton dhe James Patterson, na fut në labirintet më të fshehta të drejtimit të një shteti. Dhe bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Historia rrëfehet në vetë të parë. Është vetë Presidenti i SHBAve, pagëzuar nga autorët si Jonathan Lincoln Duncan, i cili futet në një aventurë që nis nga Shtëpia e Bardhë në takime të fshehta, kërcënime terroriste, në “rrëmbime”, për t’u kthyer sërish në sallën ovale dhe në fjalimin e radhës. Ajo që e bën interesant këtë libër nuk është stili i Patterson, një nga autorët e romaneve thriller më të shitur në botë, por disa detaje, disa nuanca, disa të dhëna, të cilat mund t’i ofrojë vetëm dikush që ka jetuar brenda Shtëpisë së Bardhë. Si një njeri që i ka provuar vetë ethet e pushtetit për dy legjislatura (1992- 2001), Clinton na fton të imagjinojmë se ç’do të thotë të ulesh në Sallën Ovale dhe të drejtosh vendin më të fuqishëm në botë, të përballosh presionet politike të brendshme dhe ato ndërkombëtare, të marrësh vendime të shpejta në situata të jashtëzakonshme, në interes të sigurisë publike, të mbash qëndrime diplomatike dhe të përballesh me problematika që nuk të vënë në rrezik vetëm karrierën, por edhe jetën: përballja me terrorizmin botëror, me ISIS, me krimin kibernetik…
Të gjitha këto na zbulohen faqe pas faqe në “Presidenti është zhdukur”. Edhe pse historia është e trilluar, mekanizmi se si funksionon drejtimi i SHBA-ve dhe sidomos masat që merren në raste ekstreme, me siguri janë të vërteta. Ndonëse flitet për një sulm kibernetik, i cili do të vinte në rrezik gjithë sigurinë e SHBA-ve dhe do të “gjymtonte” ushtrinë amerikane, mund të heqësh paralele mes tij dhe situatës së jashtëzakonshme të krijuar në 11 shtator të vitit 2001. Ndonëse në karrigen presidenciale nuk ishte Clinton, procedura është po ajo.