Rasti i rektorit, Ilirjan Mandro është një rast specifik i kalimit të vetingut me disa flamurë të paligjshmërisë, ku rasti më flagrant është ai i ndërtimit pa leje të një vile me tre kate dhe me sipërfaqe totale prej 453.3 m2 i vendosur mbi një truall, me sipërfaqe 543 m2 i ndarë në 3-kate, kati përdhe me sip. 140.9 m2, kati i parë me sip. 154.7 m2, kati i dytë me sip.157.7 m2 i rivlerësuar në shumën 48.873.347 lek sipas mandatit datë 22.10.2013.
Sipas deklaratave të Mandros ky objekt është ndërtuar ndër vite dhe nuk ka mundësi të justifikojë të ardhurat për ndërtimin në fjalë. Trupa e vetingut e ka marrë të mirëqenë këtë pasuri dhe e ka kaluar pa sqarim mbi burimet e të ardhurave. Pavarësisht raportit të vetingut, i cili e ka miratuar figurën e rektorit aktual të Akademisë së Sigurisë, evidentohet qartë dashamirësia për të kaluar një subjekt i cili ka ndërtuar saraje pa gjetur burimet e të ardhurave. Sipas informacioneve të ardhura nga kolegë të Mandros, por dhe të studentëve të tij, mësohet se në këtë ndërtim kanë kontribuuar me punë “vullnetare” studentët e akademisë, të cilët kanë qenë kontribuues në ndërtimin e kësaj vile.
Shumë prej tyre reagojnë të revoltuar për mekanizmin që ky profesor kishte ngritur për të marrë në ndihmë studentët e tij në punët e ndryshme, duke filluar nga gatimi i llaçit, ngritja e tullave, ngarkim shkarkimi i çimentos dhe materialeve që shërbenin për ngritjen e sarajeve të pedagogut që ndërtonte pa leje në Qytetin Studenti. Shumë prej kolegëve të Mandros e konsideronin veprim skandaloz shfrytëzimin që ky ju bënte studentëve të Akademisë për të ngritur vilën prej 453 metra katrorë.
E kështu Mandro ndërtonte tullë pas tulle kullën e sheikut ndërkohë tullë -tullë ngrihej edhe karriera e studentëve katranjos që falë vetmohimit shembullor me llaç e tulla u shndërruan në shefat dhe drejtorët e ardhshëm të policisë. Në qarqet e ish studentëve të Mandros qarkullon një barsaletë për këtë fenomen. Ndërsa studentët që ndërtonin vilën gjatë kohës që punonin për llogari të profesorit të tyre duke shqetësuar studentët një vajzë e revoltuar i drejtohet të mbanin qetësi pasi ishte me sezon provimesh.
Përgjigja epike e kuadrit të ardhshëm të Policisë së Shtetit ishte: “ Pse nuk e shikon që edhe ne po bëjmë sezonin”? Ilir Mandro është personazhi tipik që ka ndërtuar pasurinë e tij mbi vlera të dyshimta ekonomike, ndërkohë që në vetingun e gjyqësorit janë rrëzuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë për ndërtime shtesash pa leje. Gjithsesi, një informacion i ri ka dalë pas shkrimeve tona nga zëra të ndryshëm në radhët e policisë, që burimi i krahut të punës për sarajet e Rektorit të Akademisë paskan qenë dhe studentët, pasi vetingu nuk i ka bërë asnjë analizë kostoje një pedagogu me shpërblim mediokër që nuk mjaftonte për të jetuar, jo më për të ndërtuar vilë.








































