Google search engine
Home Politike RTSH drejt shkrirjes, drejtoresha Eni Vasili pritet të emërohet ambasadore e Shqipërisë...

RTSH drejt shkrirjes, drejtoresha Eni Vasili pritet të emërohet ambasadore e Shqipërisë në Londër

0
26

Lëvizjet tektonike në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) po marrin formë, ndërsa qarqet mediatike dhe ato politike po zien nga thashethemet për një ristrukturim të thellë të institucionit më të rëndësishëm mediatik publik në vend. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se ditët e drejtoreshës aktuale, Eni Vasili, në krye të këtij institucioni duket se janë të numëruara. Sipas të njëjtave burime, largimi i saj nuk do të jetë thjesht një ndryshim drejtuesish, por pjesë e një lëvizjeje më të gjerë strategjike. Flitet se Vasili pritet të pozicionohet në diplomaci, përkatësisht si ambasadore e Shqipërisë në Londër.

Projekti i kullave dhe hija e Korporatës së Investimeve

Megjithatë, zhvendosja e figurave drejtuese duket se është vetëm maja e ajsbergut. Interesi kryesor i aktorëve që po lëvizin fijet duket se qëndron tek asetet fizike të RTSH-së. Godina ikonike e televizionit publik, e ndodhur në një nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit, është në shënjestër. Sipas informacioneve që qarkullojnë, ekziston një plan për të “shkrirë” ose zhvendosur aktivitetin e RTSH-së, duke e lënë hapësirën e godinës së vjetër të lirë për kulla. Në këtë ekuacion, emri i Elira Kokonës, drejtueses së Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), po përmendet si garantja e këtij operacioni. AIC-ja është bërë e njohur për përpjekjet e saj për të “monetarizuar” pronat publike, një term që shpesh është përkthyer në opinionin publik si ndërtim kullash në truallin e institucioneve shtetërore apo atyre sociale.

Paralajmërimi i Ramës

Kujtojmë se sinjalet për mbylljen e RTSH i dha disa kohë më parë kryeministri Edi Rama. Sipas deklarimeve të Ramës, RTSH konsiderohet një dështim i plotë dhe nuk meriton më asnjë financim nga taksat e shqiptarëve. Ai është shprehur prerazi se nuk e ndjek dhe se, sipas tij, televizioni publik nuk i shërben askujt. “Asnjë lek për RTSH, nuk i meritojnë taksat e shqiptarëve. Ia kam thënë ta mbyllin! Deri tani ka qenë dështim i madh”, ka deklaruar Edi Rama, duke kritikuar drejtpërdrejt televizionin publik të drejtuar nga Eni Vasili.

Kjo deklaratë e kryeministrit ngjalli reagime shumë të forta. E në vazhdën e reagimeve, një kritikë e ashpër për kreun e qeverisë edhe nga regjisori Osman Mula, një nga emrat që i ka kushtuar gjithë jetën e tij këtij institucioni. Përmes një postimi, gjerë e gjatë ai ka akuzuar Edi Ramën për kontrollin që ka mbi median dhe përdorim të televizionit publik për interesa personale. Sipas regjisorit mbrapa këtyre deklaratave të kreut të qeverisë, qëndron një tjetër skenar, ndërtimi i kullave, projektet e të cilave prej vitesh kanë qëndruar në zyrën e kryeministrit. “Ti ke 13 vjet që je në pushtet dhe komandon çdo gjë që është sot në Shqipëri.

E mban mend kur, në 2014, e shembe televizionin Agon Channel të italianit, sepse e pe si kundërshtar. Që në start e nise gabim, duhet ta respektosh mendimin ndryshe, kjo është demokracia, por ti nuk e pranon, se je i dhunshëm. Mban përgjegjësi edhe për RTSH-në, sepse ti i emëron kuadrot drejtuese në RTSH, në KKRT dhe mazhorancën në Këshillin Drejtues të RTSH-së.

Të gjithë sektorët i ke me përfaqësues nga ana jote, bile edhe 40 projektet e vitit të fundit u realizuan në RTSH nga beniaminët tuaj, sa në studio, aq edhe në podkast, duke thithur buxhetin me pagesa të mëdha, që e futën institucionin në kolaps financiar. Mos luaj indiferentin, se ti me dashje nuk e sponsorizon Radio Televizionin, se as nuk të përcet për të. Ti aty do truallin, se do të bësh kulla dhe mos ia bjer nga Kina, që e ke për zemër, por thuaj troç që do ta shembësh, pasi ke vite që edhe projektin e kullave e mban në zyrën tënde”, shkroi regjisori ndër të tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here