Komedia “Shirli Valentina” me aktoren Olta Daku shoqëroi publikun për dy mbrëmje me radhë në skenën e teatrit “Skampa” në qytetin e Elbasanit. Vepra e autorit Willy Russell në skenë me regji nga Driada Dervishi dhe protagoniste në rol aktoren e njohur Olta Daku vijon të udhëtojë në skena të ndryshme të teatrove për publikun. Këtë herë ndalesa ishte bë qytetin e Elbasanit, duke marrë të tjera vlerësime. Në vepër Shirli është një 42 vjeçare, por se çfarë mendon të bëjë ajo kjo tregohet në komedinë e autorit të njohur anglez Willy Russell.
“Tingëllon si një personazh i shkruar nga një autor shqiptar, për këtë dua të nënvizoi se përveç aktores Olta Dakut nuk do ka kishte këtë lidhje me publikun. Shirli është një 42 vjeçare e cila ka rritur dy fëmijë, tashmë ata janë rritur dhe secili ka drejtimin e vet. Ajo gjendet në një pikëpyetje të madhe pasi ka mbaruar detyrimet e saj”, ka pohuar më parë mes të tjerave regjisorja Driada Dervishi.
Skena/kostumet janë nga Laedia Hajdari, përpunim muzikor Julian Shyti, koreograf Elton Cefa dhe përkthyes i veprës është Artur Lena. Komedia “Shirli Valentina” e shkruar nga anglezi Willy Russell ka në qendër një grua që i duhet të përballet përditë me muret e kuzhinës. Kjo është një komedi klasike dhe moderne, nga e cila sipas regjisores Dervishi publiku do të vazhdojë të buzëqesh gjatë edhe pasi shfaqja të ketë mbaruar. Aktorja protagoniste Olta Daku për komedinë gjithashtu ka pohuar se i kishte munguar një personazh i tillë. Aktorja thotë se ky rol i ka ardhur në kohën e duhur, brenda kësaj pjese ajo jetëson 10 personazhe. E vënë në shumë skena të botës vepra “Shirli Valentina” është edhe fituese e çmimit “Lorenc Oliver” si komedia më e mirë e vitit 1988. Përmes humorit tregohet një udhëtim i jashtëzakonshëm i një gruaje të zakonshme. Shirli Valentina, vjen nga një aktore që mishëron si humorin ashtu dhe ngrohtësinë, si vrullin ashtu dhe kurajon, si sarkazmën e po aq natyrshëm dhe autoironinë, Olta Daku, e cila përmes Shirlit fton për të besuar se nuk është asnjëherë shumë vonë për të realizuar ëndrrat. Një nga veprat më të suksesshme të autorit anglez Willy Russell kjo komedi, e cila qëndron prej tri dekadash në repertorin e teatrove angleze dhe pasi është vënë në mbi 30 vende në mbarë botën, vjen edhe në skenën e teatrit në Shqipëri.