Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro arriti të bënte shumë zhurmë me postimin e saj në Twitter pak ditë më parë.
Ky postim, referuar shprehjes së shkrimtarit, regjisorit dhe aktorit amerikan John Waters, u komentua pafund në media e rrjete sociale dhe sipas ministres kërkonte të ndërgjegjësonte të rinjtë të lexonin libra.
Ndërkohë, e ftuar këtë mëngjes në emisionin “Wake up” në Top Channel, Kumbaro i është rikthyer sërish këtij debati kur u pyet nëse ky status ishte i qëllimshëm, ose jo.
“Unë kam marrë citimin e shkrimtarit të njohur John Waters, është copy-paste. Virale bëhen dëshirat negative, jo mesazhet pozitive”, tha ministrja.
“Gjithsesi ishte një mesazh i guximshëm i thënë nga një ministre kulture”, iu drejtua moderatorja Ori Nebiaj.
“Edhe si ministre apo përkthyese, unë flas pareshtur për librin dhe është e vështirë të tërhiqet vëmendje nëse nuk kemi të bëjmë me një reklamë, apo diçka tjetër, por nuk ishte i qëllimshëm. Lexova një artikull të Waters, i cili tentoi të provokojë shoqërinë me këtë ide, pra në marrëdhënien në çift, pasi libri mund të jetë kriter i tjetrit. Për çdo gjë që bëni mendoni edhe kriterin e përzgjedhjes kulturore, pra a ka ky njeri një kulturë pas”, tha Kumbaro.
“Don’t f*ck them”, zonja Kumbaro jemi të gjithë të rritur”, tha Nebiaj, ndërsa ministra i përgjigjet:
“Po më habisni pak me cektësinë e interpretimit tuaj. Waters shpreh një mesazh, se një njëri i rrethuar me libra është të bën më të mirë. Nëse lexon më shumë ju bën gazetare më të mirë, një shoqe më të mirë. Ky është edhe mesazhi që ju duhet të jepni në media”, tha ministrja.