Tre net më parë qyteti i Durrësit u trondit nga një ekzekutim mafioz ku mbetën viktima 39-vjeçari Edison Harizaj dhe miku i tij 33-vjeçari Genci Caci.
Sipas ekspertëve, atentati është kryer në mënyrë të organizuar nga më shumë se 5 persona. Plani i ekzekutorëve ka qenë i hartuar deri në detaje dhe me përpikmëri.
Ata kanë vëzhguar Harizajn që kur ndodhej në Tiranë dhe më pas e kanë ndjekur me makinë ndërkohë që kanë lajmëruar bashkëpunëtorët e tyre t’i zinin pritë me një tjetër makinë para, për të kryer vrasjen.
Personat që i zunë pritë pranë Mbikalimit të Plepave në Durrës, informoheshin herë pas herë nga bashkëpunëtorët e tyre që ishin në lëvizje pas shënjestrave.
Sapo Harizaj dhe Caci janë afruar në zonën e Plepave, një automjet ku ndodhej pjesa tjetër e grupit ka hyrë në kundërvajtje në korsinë ku Harizaj po udhëtonte nga Tirana në Vlorë.
Në timon ndodhej Harizaj, i cili ka ulur shpejtësinë sapo ka parë një automjet që po vinte drejt tyre kundërvajtje dhe në moment ka devijuar në rrugë dytësore për të evituar përplasjen.
Në rrugën dytësore ekzekutorët i kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar drejt tyre me dy karikatorë kallashnikovi, duke derdhur të paktën 60 plumba.
Në vendin ku autorët kanë zgjedhur të kryejnë krimin nuk ka asnjë pamje filmike dhe as ndriçim.