Një ekzekutim mafioz me dy të vrarë, u shënua në orët e vona të mbrëmjes së kësaj të marte në qytetin e Durrësit.
Dyshohet se shënjestra e atentatit ishte 39-vjeçari vlonjat, Edison Harizaj, i cili udhëtonte me makinën e tij “Audi A8”, bashkë me shokun e tij Genci Caci, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë një ditë më vonë në spital.
Harizaj ishte i skeduar nga policia, madje rezulton i dënuar për vrasje, si dhe i përfshitrë në aktivitetin kriminal të trafikut të drogës, kryesisht në Belgjikë.
Kjo pasi në policinë shqiptare, autoritetet belge kishin sinjalizuar për një dosje hetimore për trafik droge, ku rezultonte i përfshirë edhe Edison Harizaj.
Dyshohet se 39-vjeçari i cili njihej si një nga “të fortët” e Vlorës është nxjerrë në pritë, për shkak se ekzekutimi ndodhi në një zonë pa ndriçim të Durrësit.
Po ashtu dyshohet se Harizaj kishte shkelur shumë persona “në kallo”, çka bëri që të organizohet një atentat i detajuar, ku pak pas krimit një makinë e djegur e cila dyshohet se është përdorur nga autorët, u gjet e djegur në zonën e Shën Vlashit, në Durrës.