Në galerinë e artit FAB ekspozita “Nëntori 21” u çel me punët e 25 artistëve. Emra të njohur të artit shqiptar ndër vite por dhe të rinj me veprat e tyre janë pjesë e kësaj ekspozite, që shënon edicionin e 21 në Tiranë. Ekspozita vjen me punët më të fundit të autorëve shqiptarë si dhe për herë të parë sipas organizatorëve prezantohen për publikun. Këtë vit në ekspozitë prezantojnë punimet e tyre piktorët Adrian Devolli, Agron Mesi, Aleksandër Filipi, Andi Hila, Besim Tula, Buron Kaceli, Gazmend Leka, Hasan Çapari, Ksenofon Dilo, Kujtim Buza, Merita Selimi, Nikolin Ivanaj, Stefan Taçi, Zef Shoshi, Brikena Bërdo, etj. Organizatori Besim Tula tregon se këtë edicionin që është i 21 i “Nëntorit” janë tablo kompozicionale që trajtohen tema të kohës. “Ekspozita “Nëntori” është aktiviteti me jetëgjatë në vendin tonë në artet vizuale, i bëri 21 edicione. Janë punime që trajtojnë tema të kohës. Tematikat janë të kohës, sepse ajo bën dhe subjektin e punëve, ku kemi ankthin për punën, mungesën e shpresës, emigracioni, izolimi, etj. Në këtë grup një pjesë janë artistë të afirmuar, krahas temës është mjeshtëria. Kemi piktoren Brikena Bërdo që trajton temën prishjes së ajrit, pra ngopjes së tij me helm dhe gaz karbonik. Është një ekspozitë e profilizuar me pikturë, vetëm çfarë arrihet të realizohet me dorë”, tregon piktori Besim Tula. Këtë vit në edicionin e 21, piktori Besim Tula prezanton dy punime, “Ikona e ngecjes” dhe “Ngushtë”. Ai tregon se janë punime që prezantohen për herë të parë për publikun. “Unë prezantohem me dy punë, një tablo “Ikona e ngecjes” dhe e dyta “Ngushtë”. Puna e dytë sjell një familje që mund ta marrësh dhe në rrugën që mund të bëjnë për të emigruar por dhe si i kanë nxjerr nga shtëpia”, tregon piktori Besim Tula. Në muajin nëntor kjo ekspozitë që prezanton një krijimtari të pasur të piktorëve shqiptarë i ka dhënë dhe një tjetër gjallëri jetës artistike në Tiranë.
Piktorët dhe krijimtaria
Në ekspozitë piktori Kujtim Buza edhe këtë vit vjen me punime të reja. Pjesëmarrës që në edicionin e parë të ekspozitës “Nëntori”, piktori i njohur e vlerëson këtë aktivitet. “Në ekspozitë janë të gjitha punimet e reja dhe tregojnë nivelin dhe punë krijuese gjatë vitit me ato që ti mendon se janë më përfaqësuese. Unë jam që në ekspozitën e parë dhe kjo është e 21-ta te “Nëntori””. Këtë vit jam me peisazhe nga Pogradeci, ku paraqes gjendjen e ujit, peisazhe mbi ujë dhe nënujë”, tregon piktori Kujtim Buza. Pjesë në ekspozitë dhe piktori Nikolin Ivanaj vlerëson punën që bëjnë artistët për tu prezantuar te “Nëntori”. “Për mua është shumë e rëndësishme ekspozita dhe e kam vlerësuar shumë. Marr pjesë me një kompozim që ia kushtoj asaj pjese të shoqërisë që është e përvuajtur, romët. Është një kompozim që titullohet “Lola”, që ka një vajzë që ëndërron. Kam bërë dhe një portret të një miku tim, publicist dhe shkrimtar që është zoti Luan Rama që jeton në Paris”, pohon piktori Nikolin Ivanaj. Ekspozita “Nëntori” sipas artistëve prej vitesh ka hasur dhe në mungesën e mbështetjes së Ministrisë së Kulturës. Prej vitesh pa vëmendjen e institucioneve, artistët pohojnë se ndaj tyre është treguar një qëndrim jo vlerësues. Piktori Besim Tula njëkohësisht dhe organizator i ekspozitës “Nëntori” tregon se nuk kanë aplikuar te Ministria e Kulturës për këtë edicion, pasi dhe në njëzet vjetor nuk patën asnjë ndihmë.
Nga Julia Vrapi