Për të rrëzuar regjimin komunist pati tentativa nga shumë individë dhe nga shumë grupe brenda e jashtë vendit. Përveç CIA, e cila tentoi disa herë të rrëzonte Enver Hoxhën, në SHBA u krijua dhe Komiteti për Shqipërinë e Lirë. Në këtë komitetit bënin pjesë figura të njohur, të cilët e kishin deklaruar kundërshtinë ndaj komunizmit. Komiteti drejtohej nga Hasan Dosti, ndërsa pjesë ishin Abaz Kupi, Said Kryeziu, etj. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA jepen detaje nga ky komitet, ndërsa tregohen dhe përplasjet me italianët.
Memorandum për zëvendës-drejtorin e operacioneve speciale
Memorandumi juaj me datë 15 dhjetor 1950 u lexua me interes të konsiderueshëm. Megjithëse italianët janë padyshim të interesuar në punën e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, duket se shqetësimi i tyre kryesor është aktiviteti britanik dhe objektivat e tyre për Shqipërinë, si dhe mënyra e shfrytëzimit britanik të Komitetit, në ndjekje të këtyre objektivave. Faktikisht, natyra e punës së Komitetit njihet dhe çdo depërtim italian në kryesinë e tij apo tentativë për të korruptuar anëtarë të tij do të ishin mundime të kota. Nga njohuria jonë e punës së Komitetit dhe në veçanti të bashkëpunimit të Komitetit me britanikët, ne besojmë se dyshimet italiane apo keqkuptimet për skenaret e tyre për ndarjen e Shqipërisë, janë totalisht të pabaza. Me sa ne jemi në dijeni, të gjitha broshurat e lëshuara mbi Shqipërinë janë përgatitur nga Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, dhe nuk dimë për asnjë rast kur ato janë përgatitur nga britanikët apo që këta të fundit të kenë ndërhyrë në tekstet e Komitetit. Në lidhje me këtë do të ishte me shumë interes nëse inteligjenca italiane mund të na jepte tekstin për të cilin bëhet fjalë në memorandumin tuaj.
Do të ishim mirënjohës nëse na mbani të informuar për zhvillime të tjera të çështjes.
Frank G. Wisner, Zëvendës-drejtor i politikave të koordinimit
15 maj 1953
Memorandum për zëvendës drejtorin
Objekti: Mundësia e një apeli ndaj senatorit Mçarthy për hetime ndaj NCFA
Prej dy vitesh, dega jonë SE ka bërë përpjekje për zgjerimin e Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë me përfaqësimin e dy grupimeve që aktualisht nuk përfaqësohen. Një prej këtyre grupeve, Balli Kombëtar i drejtuar nga Ali Këlcyra, është ndarë nga Balli Kombëtar Agrar në vitin 1950 dhe ka kërkuar të pranohet në Komitet si parti më vete. Por gjatë negociatave të zgjatura me NCFA u bë e kuptueshme se tentativat e mëtejshme për zgjerimin e tij kundër vullnetit të lidershipit do të sillnin trazira në vetë NCFA. Prandaj, divizioni ka marrë informata se përfaqësues të Ballit mund të apelojnë te senatori Mc Carthi për një hetim nga komisioni i tij.
Treguesit se grupi i Ali Këlcyrës mund të bëjë një veprim të tillë janë si më poshtë:
a) Një letër me datë 14 mars 1953 nga Halim Begeja, sekretar i përgjithshëm i Ballit dhe përfaqësues i tij në Nju Jork, për Ali Këlcyrën gjatë udhëtimit të këtij të fundit në Greqi, që u interceptua nga shërbimet greke dhe iu kalua CIA nga ndërlidhjet tona. Letra siguronte Këlcyrën se mes të tjerave, asgjë nuk do të bëhej për krijimin e një komiteti të vërtetë nacionalist me anëtarë anti-Prizren (të mbështetur nga Jugosllavia), deri sa çështja të sillej përpara senatorit McCarthy dhe nënkomitetit të tij të senatit.
b) Në një raport të marsit 1053, Halim Begeja raportohet të ketë shprehur padurimin e tij te NCFA mbi mospërfshirjen e vazhdueshme të Ballit Kombëtar në Komitet, duke thënë se nëse partia e tij nuk përfshihej, ai do të kërkonte rrugë të tjera për të luftuar komunizmin.
Megjithëse kërcënimi i mësipërm është vetëm një shantazh i vogël i Ballit, një hetim i tillë mund të jetë me interes për elementet disidente të emigracionit shqiptar, aq sa për të kërkuar dëgjesën dramatike me senatorin MecKarthy. Kërcënime të ngjashme për kërkesën e ndihmës nga liderë të kongresit janë bërë edhe më parë ndaj NCFA, por ato nuk janë ndjekur më tej. Divizioni ynë po përfiton nga kjo mundësi për të sjellë në vëmendjen e autoriteteve një sikletosje të mundshme, pas pasojave serioze të hetimeve të komitetit të Senatit mbi operacionet e drejtuara nga CIA për grupet e disidentëve në emigracion. Kjo ka të bëjë jo vetëm me rastin e shqiptarëve por edhe me grupime të tjera të Evropës Lindore, që mund të jenë të pakënaqur me trajtimet e tyre apo me pozita të ngjashme me atë të NCFA. Në lidhje me rastin në fjalë, një hetim shumë i publikuar mbi përbërjen dhe aktivitetet e NCFA në Romë, do të zbulonte përfshirjen dhe mbështetjen tonë ndaj Komitetit, dhe rrjedhimisht do të dëmtonte kontrollin tonë mbi të. Gjithashtu, publiciteti negativ që do të sillte një hetim i mundshëm i kësaj natyre, si mbi individët ashtu dhe kolektivisht, do ta bënte atë thuajse infektiv si një front politik. Me sa u tha më sipër, divizioni ynë kërkon që Këshilli Legjislativ të vihet në dijeni të situatës siç qëndron tani. Mund të jetë e mundur, me anë të kontakteve të autorizuar, të sigurohemi nëse është bërë një kontakt i tillë apo jo me Senatorin McKarthy, nga grupi shqiptar, apo të na njoftojë nëse një lëvizje e tillë ndodh.
Përbërja e Komitetit
Komiteti përbëhet nga dy njësi, ajo ekzekutive dhe një trup i përgjithshëm këshillues.
(a) Hasan Dosti – president. Zoti Dosti është një anëtar i njohur i lëvizjes Bali Kombëtar dhe përpara Luftës konsiderohej si juristi më i aftë në Shqipëri. Ai vjen nga një origjinë e thjeshtë, por pati mundësi të studiojë në Francë dhe u kthye në Shqipëri për të t’u bërë një prej qytetarëve kryesorë të saj.
(b) Abas Kupi – aktualisht ndihmon aktivitetet e NCFA në Romë. Kupi konsiderohet si një prej heronjvetë luftës për drejtimin e tij të përpjekjeve guerile kundër pushtuesve italianë. Në vitin 1943, ai krijoi partinë e Legalitetit, që kishte si qëllim të ruante legjitimitetin e ish-mbretit Zog. Megjithë mungesën e shkollimit formal, Kupi krijoi emrin e tij si një nga mbrojtësit më të ashpër të lirisë së Shqipërisë.
(c) Said Kryeziu – I emëruar në degën e NCFA në Romë, Said Kryeziu është gjithashtu president i Partisë Agrare Shqiptare. I arsimuar në Paris, Kryeziu ka punuar shumë për të vënë nën një flamur grupet shqiptare të emigracionit për të luftuar kundër pushtuesit. Për këtë, ai ka luftuar kundër gjermanëve dhe italianëve gjatë luftës dhe u bë një prej anëtarëve të Komitetit të Parisit, i cili ishte pararendësi i NCFA.
(d) Zef Pali – Anëtar i komitetit të NCFA në Rome dhe aktualisht në Nju Jork për konsultime. Pali është një lideri i njohur dhe aktiv i Ballit Kombëtar, i arsimuar në Kolegjin e Mësuesve në Elbasan. Ai respektohet si një njeri i letrave dhe i idealeve demokrate. Pali u detyrua të largohej nga vendi gjatë luftës dhe u bë një prej anëtarëve të parë të NCFA.
(e) Nuçi Kotta, është një zyrtar i NCFA në Neë York, dhe anëtar i partisë së Legalitetit. Ai ka qenë prej kohësh në shërbim të mbretit shqiptar në emigracion, Zog, dhe ka studiuar për drejtësi në France. Kotta u kthye në Shqipëri për të shërbyer si kryeministër i Zogut për disa vjet. Edhe ai është një prej anëtarëve të parë të Komitetit të Parisit në gusht l949. Ai është përgjegjës për publikimin e gazetës së komitetit Shqiperia.
Qëllimet e komitetit
(a) Të drejtojë dhe të inkurajojë njerëzit tanë trima për rezistencë ndaj regjimit mizor komunist dhe të organizojë në mënyrë efektive shqiptarët jashtë shtetit në ndihmë të rezistencës. Njerëzit tanë në Shqipëri duhet të bëhen të vetëdijshëm për opozicionit mbarëbotëror ndaj shtypjes komuniste dhe për fuqinë në rritje të kombeve me zgjedhje të lira parlamentare.
(b)Të gjitha aktivitetet e Komitetit drejtohen ndaj rivendosjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë.
(c) NCFA është e vetëdijshme për përgjegjësinë e madhe që merr mbi vete për llogari të popullit shqiptar dhe kërkon ndihmën e kombeve të lira dhe shteteve demokratike.
NCFA publikon gjithashtu një gazetë në gjuhën shqiptare, “Shqipëria”, e cila ka një tirazh prej thuajse 4,000 kopjesh. Ajo publikohet një herë në dy javë në Neë York, dhe kopjet e ‘Shqipëria’ u dërgohen shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, Angli, Australi, Greqi, Itali e Turqi.
Ardhja e komunistëve në Shqipëri
Partia Komuniste shqiptare u formua në vitin 1941 nga Tito dhe në fillim ajo kishte vetëm dymbëdhjetë anëtarë. Pushtimi italian i Shqipërisë favorizoi formimin e partisë. Para hyrjes së Rusisë në luftë, rëndësia e kësaj partie ishte zero. Gjatë luftës komunistët fituan terren. Në vitin 1942, pas një manovre të shkathët të Moskës të aplikuar në të gjithë Evropën, komunistët ia dolën të krijonin “komitetin kombëtar të çlirimit”. Ashtu si dhe në vende të tjera, edhe në Shqipëri partitë e tjera u tradhtuan dhe pushteti kaloi në duart e komunistëve. Vetë Enver Hoxha hyri vonë në skenën politike. Ai e nisi karrierën gjatë pushtimit italian. Në vitin 1944 me urdhër të Titos, ai u zgjodh sekretar i përgjithshëm i partisë komuniste shqiptare, e cila asokohe kishte disa qindra anëtarë. Forcat aleate ndihmuan shumë në ardhjen e komunistëve në pushtet, pasi donin t’i përdornin ata kundër pushtuesve gjermanë dhe Italisë fashiste. Prandaj ata ndihmuan në organizmin e komunistëve dhe disorganizmin e forcave nacionaliste. Forcat aleate, veçanërisht Anglia, u dhanë atyre materialet e nevojshme për të krijuar brigadat luftuese komuniste dhe dërguan këshilltarë ushtarakë. Po ashtu media britanike mbështeste lëvizjen komuniste me anë të transmetimeve të përditshme në shqip. Mangësia kryesore e Aleatëve ishte mungesë dijenie ndaj komunistëve, të cilët përfituan nga ndihmat jo për të luftuar kundër gjermanëve dhe italianëve, por për të vendosur diktaturën komuniste në Shqipëri.
Situata e brendshme në Shqipëri
Sapo erdhën në fuqi, komunistët ndoqën recetën e Moskës duke aplikuar terrorin. Kjo metodë dha rezultate në të gjitha vendet sllave përveç Polonisë katolike. Ndërsa në Shqipëri ndodhi e kundërta. Që në fillim të vitit 1946 një opozitë kundra terrorit dhe metodave të Moskës nisi të marrë formë brenda partisë komuniste. Kjo ishte arsyeja për arrestimet dhe dënimin e ministrit të instruktimit publik Gjergj Kokoshi, avokatin Suad Asllani dhe shumë të tjerë. Më vonë u zhvillua një gjyq ku u dënuan me vdekje 10 komunistë të tjerë. Një tjetër gjyq u hap për oficerët e lartë dhe një tjetër për inxhinierët e lartë të akuzuar për kabotazh dhe shërbim ndaj imperialistëve anglo-saksonë. Në një takim të ministrave në Tiranë, një prej ministrave vrau ministrin e ekonomisë Spiro Nako. Situata e komunistëve të Shqipërisë u përkeqësua pas konfliktit mes Titos e Moskës. Fakti është se Shqipëria nuk është një satelit i Moskës por një nën-satelit. Shqipëria nuk qeverisej nga Stalini por nga Tito. Drejtimi politik, ushtarak e ekonomik ishte në duart e Titos.
Dënimi i pushtetarëve
Instruktorët e ushtrisë dhe specialistët dërgoheshin nga Jugosllavia dhe portreti i Titos dhe Stalinit ishin të detyrueshëm në çdo zyrë dhe debati mes Stalinit dhe Titos u ndje shumë në Partinë Komuniste Shqiptare. Partia u nda në dy grupime të kundërta. Prova më e mirë për këtë ishte gjyqi i Koçi Xoxes dhe i shokëve të tij. Ne e dinim se përpara prishjes me Titon, Koçi Xoxe ishte diktatori i vendit dhe influenca e tij shkonte më tej se ajo e Enver Hoxhës. Xoxe ishte një njeri i përgjakshëm që ka pasur funksionet më të larta si ministër i brendshëm, president i këshillit të ministrave, president i gjykatës së popullit. Ai u dënua me vdekje më 12 t ëkëtij muaji, i akuzuar si agjent i Titos. Pas gjyqit të tij pati një valë arrestimesh dhe arratisje drejt Jugosllavisë. Në Jugosllavi ka tani rreth 2000 emigrantë nga Shqipëria, të cilët u pritën shumë mirë nga Tito. Grupe të tjerë që nuk guxuan të shkonin në Jugosllavi u larguan në zona malore.
Sipas raportimeve të fundit situata në Shqipëri është e tillë: Partia komuniste shqiptare si rezultat i debateve është e përçarë. Grupe të vogla partizanësh prej 15-20 vetësh janë vendosur në male.
Ka terror dhe uri, asnjë nuk është i sigurt për jetën e tij. Ushtria e vendit përbëhet nga 25 mijë njerëz por qeveria nuk ka shumë besim te trupat e saj prandaj gjatë zhvendosjeve nga një vendndodhje në tjetrën ushtarët nuk i kanë armët e mbushura. Numri i specialistëve rusë në vend ka arritur në 1000.
Kushtet e nevojshme për një grusht shteti në Shqipëri
Siç shihet nga më sipër, Shqipëria drejtohet nga një klikë e vogël komunistësh që nuk ka lidhje me popullin e saj. Ky grup ka gjithashtu debate mes vetes. Pakënaqësia e popullit rritet dita-ditës. Sapo sinjali i revoles të jepet, populli shqiptar do t’i japë fund komunistëve brenda disa ditëve. Tito nuk do të lëvizë sepse Shqipëria e Enver Hoxhës përfaqëson për të armikun kryesor. Duhet të supozojmë që Tito do të ndihmojë fshehtësish largimin e regjimit të Hoxhës dhe kompanisë së tij. Por kushtet e mëposhtme janë absolutisht të nevojshme: Greqia, nëse është e mundur, duhet të deklarojë solemnisht që njeh kufijtë e Shqipërisë të vitit 1913, domethënë ato përpara pushtimit italian të vitit 1939, duke hequr dorë nga pretendimet e saj për Epirin e Veriut (provincat pjellore të Korçës e Gjirokastrës, dhe të nisë një politikë të re miqësie me Shqipërinë e re demokratike. Një deklaratë e tillë ka shumë rëndësi pasi populli shqiptar preferon më mirë të vuajë nën thundrën komuniste nga frika e pushtimit grek të jugut të vendit. Deklarata të njoftohet me radio dhe nga shtypi, duke inkurajuar popullin shqiptar të krijojë kushtet e nevojshme për revolucionin. Kjo iniciativë duhet të kryhet nga forcat shqiptare jashtë vendit (në Itali, Greqi, Turqi, Egjipt e Siri) numri i të cilave të jetë 1500 deri në 2000 njerëz. Kontakti direkt duhet të vendoset me liderët e kualifikuar të rezistencës, brenda dhe jashtë vendit. Në çdo rajon të Shqipërisë ka njerëz që zotërojnë autoritetet absolut mbi provincat e tyre. Armatimet dhe municionet dhe furnizimet e tjera do të sigurohen nga Aleatët Pasojat e një grushti shteti të suksesshëm: Goditje e rëndë ndaj imperializmit rus dhe një shembull; i shkëlqyer për vende të tjera që vuajnë nën thundrën sovjetike Fundi i luftës civile në Greqi. Kapja e bazës së rëndësishme në ishullin e Sazanit.