Artisti Sead Kazanxhiu, një ekspozitë me video, instalacion dhe vizatime për kujtimet

0
791

Ekspozita “Në oxhakun tim” vjen për publikun në galerinë e artit “Zeta”. Një ekspozitë personale e artistit Sead Kazanxhiu, por që sipas tij në përmbajtjen e saj aty e gjejnë veten dhe të tjerë. Me aktivitetin tij artistik Sead Kazanxhiu prej vitesh ka prezantuar punët e tij jo vetëm në ekspozita brenda vendit, por dhe jashtë. Këtë herë në galerinë e artit “Zeta” ai sjell për artdashësit “Në oxhakun tim”, ekspozitë që përmban instalacion, video dhe objektet nga shtëpia e gjyshërve të tij, ku nuk mungon dhe vizatimi. Ekspozita vjen pas një pune disa vjeçare kërkimore dhe artisti Kazanxhiu tregon se ka nisur që në 2015. “Kjo si ekspozitë ka ardhur pas një kërkimi të gjatë, që unë kam bërë dhe nuk është se ishte tani në punë time si artist. Ajo që unë kam bërë është që kam dokumentuar momentin e prishjes së shtëpisë të gjyshërve të mi në Baltëz të Fierit. Kjo shtëpi u prish në 2015, ishte e vjetër që nuk mund të qëndronte më. Për të bërë rregullime u vendos që të rrëzohej dhe kjo shtëpi. Pas kësaj ne nuk ta shikonim më si shtëpi, edhe pse aty kishim të gjithë memorien, ndaj unë vendosa ta dokumentoj procesin e prishjes së banesës”, tregon artisti. Për Sead Kazanxhiu mesazhet në ekspozitë janë për të gjithë, që memoria jonë ka shumë rëndësi, por ajo që prezantohet këtë herë në galerinë “Zeta” ka lidhje dhe me probleme që lidhen me emigracionin dhe më tej. “Gjyshja ime kishte një shprehje që thoshte gjithmonë: Nuk do të lëviz nga vendi do të rri këtu në oxhakun tim. Por kjo si shprehje ka mbetur dhe tek njerëzit e tjerë, ka lidhje me emigracionit, me çështjen e diskutimit të kufijve”, vijon artisti për ekspozitën. Por ky projekt që nisi nga artisti para disa vitesh ka lidhje dhe me të tjera punë të tij. Ai tregon se më parë ka pasur projektin e “Shtëpisëzës”, duke protestuar me artin e tij. “Është një punë goxha intime që ka ardhur ekspozita. Unë e kam nisur që në 2015 si punë por e kam mbajtur dhe kjo lidhet dhe me projekte të tjera që unë kam pasur më parë siç është ai i “Shtëpisëzës”. Aty unë kam prodhuar një suvenir në 2014 në 2500 kopje dhe bashkë me disa aktivistë e kemi vënë përpara te trotuari i Kryeministrisë në një shenjë proteste, duke përdorur në këtë rast artin si formë proteste për çështjen e strehimit. Dhe kjo ekspozitë është pjesë e kësaj por në një formë tjetër. Nuk e prishi sistemi, por ne vetë për të ndërtuar një të re në të njëjtin vend”, tregon artisti Sead Kazanxhiu.

Aktiviteti me artin

Me një aktivitet prej vitesh me punët e tij në art, artisti Sead Kazanxhiu tregon se edhe pse tregohet diçka personale në ekspozitë e gjejnë veten dhe shumë të tjerë. Sipas artistit të gjithë kanë kujtime dhe vende, që nuk mund ti harrojnë në memorien e tyre. “Unë flas dhe për anën historike. Ajo se si ne flasim për historinë tonë dhe të parët tanë me një formë estetike, jo vetëm  një histori familjare, por dhe për çështjen e lëvizjes, se si lëviz njeriu, si lëviz jeta, është çështja e strehimit, çështje sociale dhe kulturore, sepse në këtë ekspozitë janë ekspozuar dhe dy punë të tjera që janë pjesë e një kërkimi që unë po bëj në Arkivin e Filmit. Ekspozita flet diçka personale, por në të njëjtën kohë e gjejnë veten dhe shumë të tjerë, sepse të gjithë kemi kujtime”, tregon artisti. Në lidhje me aktivitetin e tij me krijimtarinë në art, artisti Sead Kazanxhiu tregon se nuk janë të pakta angazhimet me projekte të ndryshme ku ai merr pjesë, duke shtuar se janë të rralla ekspozitat personale. “Unë kam pasur goxha ekspozita ku kam prezantuar punët e mia. Kam qenë në Berlin, në Bienalen Mediterrana, kam qenë në Suedi që prezantova Shqipërinë në bienale, në Malajzi, etj. Me ekspozita jam goxha aktiv. Ekspozitat personale janë të rralla, por  me projektet e tjera jam më i angazhuar”, pohon artisti. Në vijim të aktivitetit të tij në datë 8 nëntor artisti do të jetë me një tjetër ekspozitë në Berlin.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here